Mund t’i bëni më të ëmbla këto ditë në karantinë duke gatuar lloje të ndryshme ëmbëlsirash. Është koha ideale për të eksperimentuar në kuzhinë, edhe nëse nuk jeni shquar ndonjëherë për këtë pjesë. E dinit që macaroons nuk janë dhe aq të vështira për t’u përgatitur? Mjafton të ndiqni me kujdes udhëzimet dhe do të mund t’i bëni fiks si macaroons-at e famshme që shohim në Instagram.

Ju duhen:

-6 kokrra vezë

-400 gramë sheqer pluhur

-250 gramë pudër bajamesh

-3-4 pika ngjyrues ushqimor

-Pak kripë

Ndani të bardhën nga e verdha e vezës, pasi do t'ju duhen vetëm të bardhat e vezëve. Është mirë që vezët t'i keni ndarë të paktën një ditë më parë dhe t'i keni ruajtur në frigorifer. Të bardhat e vezëve me pak kripë rrihini në mikser derisa të bëhen shkumë. Shtoni sheqerin pluhur vazhdimisht dhe vazhdoni t'i rrihni. Shtoni edhe pudrën e bajameve dhe përziejeni derisa të formohet një masë e njëtrajtshme. Më pas, shtoni edhe ngjyruesin. Masën e formuar hidheni në një xhep pastiçerie dhe në një letër kuzhine të shtruar në tepsi formoni forma të rrumbullakëta. Lërini të pushojnë 20-40 minuta. Ato janë gati për t'u pjekur nëse brumi nuk ngjit. Futini në furrë të ngrohur më parë në 150 gradë, për 15-18 minuta.

Pasi janë pjekur i lini të ftohen, ndërkohë përgatisni kremin mbushës duke shkrirë në banjo mari çokollatën me panën (mund të zgjidhni mbushjen që dëshironi). Me anë të xhepit të pastiçerisë mbushni macaroons-at.

Rekomandohet që t'i lini një natë në frigorifer në një enë qelqi dhe t'i konsumoni të nesërmen.