Përbërësit për tortën:
4 vezë
170 gr miell
50 gr kakao pluhur
100 gr çokollatë e zezë
80 gr gjalpë
80 gr sheqer
Pak qumësht
Maja për ëmbëlsira
Pak rum për të lagur tortën
Përbërësit për kremin:
100 gr çokollatë e zezë
500 ml pana
100 gr gjalpë
300 gr krem çokollate me lajthi (Nutella)
Përgatitja:
Në një enë të madhe hedhim të bardhat e vezëve dhe i rrahim fort deri sa të bëhet një shkumë e bardhë. Në një tjetër enë hedhim gjalpin e shkrirë dhe sheqerin. Fillojmë të rrahim me rrahës elektrik. Shtojmë më pas të verdhat e vezëve një e nga një dhe vazhdojmë t’i rrahim deri sa arrijmë një masë homogjene. Shtojmë me anë të një site miellin e bashkuar me kakaon dhe majanë. I trazojmë mirë. Shtojmë ndërkohë edhe qumështin dhe çokollatën e shkrirë më parë në banjëmari. I trazojmë me kujdes. Marrim një tavë të lyer me gjalpë e miell dhe hedhim në të masën e përgatitur. E pjekim tortën në furrë 180 gr celcius për 1 orë.
Përgatisim kremin ndërkohë. Ne një tenxhere hedhim panën me gjalpin. E ngrohim deri sa të shkrijë gjalpi. Më pas e heqim nga zjarri dhe shtojmë çokollatën e grirë hollë dhe nutellën. I përziejmë mirë deri sa të shkrihen të gjithë përbërësit. Më pas masën që përgatitëm e hedhim në një enë qelqi dhe e lëmë në frigorifer për rreth dy orë. Pasi ka kaluar koha e rrahim kremin me rrahësin elektrik deri sa arrijmë një shkumë të vërtetë.
Pasi torta është ftohur e presim në mes për së gjati. E lagim me pak rum (nëse doni edhe me ndonjë sherbet ose thjesht me ujë e sheqer). Hedhim mbi të gjysmën e kremit dhe e hapim me kujdes. Vendosim sipër gjysmën tjetër. E lyejmë sërish me kremin e mbetur. Tani torta është gati për t’u zbukuruar me copëza të imëta çokollate ose me çokollatë të bardhë të shkrirë, sipas dëshirës. E fusim sërish në frigorifer për rreth një orë përpara se ta presim në copa.