Udhëtimet nuk janë më vetëm për pamjet apo për relaks – ato janë kthyer në një mënyrë të re për të përjetuar jetën përmes ndjesive, dhe mbi të gjitha, përmes shijes.
Sot, çdo biletë avioni është një ftesë për të zbuluar identitetin e një vendi përmes pjatave që ofron. Kultura është në tryezë: ajo gatuhet, shërbehet dhe hahet me duar, me shije, me kujtime që nuk zhbëhen lehtë.
Sipas një raporti të fundit nga Booking.com, 73% e udhëtarëve nga brezat Z dhe millennial vendosin destinacionin bazuar në eksperiencat ushqimore që ofron.
Por nuk mjafton më një restorant me yje Michelin – trendi i ri është përjetimi autentik: një darkë në oborrin e një ferme në Apuli, një tur ushqimor rrugësh në Vietnam, një mësim për picë në Napoli, ose një mëngjes i ftohtë islandez me peshk të fermentuar dhe djathë të bërë vetë.
Ushqimi është bërë urë lidhëse me njerëzit, mënyrë për të ndier afërsi dhe për të kaluar nga turisti në mik.
Ndaj, aplikacione si EatWith, VizEat apo AirBnb Experiences janë në rritje – sepse njerëzit nuk kërkojnë vetëm një pjatë, por një histori. Ky është turizmi i ri: jo më “all inclusive”, por “all immersive”. Dhe gjithçka nis me një kafshatë.