“Makineritë VS Njerëzit” është një nga përplasjet tipike të të ardhmes distopike të imagjinuar nga fantashkenca, si në kinema ashtu edhe në letërsi.

Makthi i përsëritur i species sonë është në fakt që të shohim ata që ne i konsiderojmë vetëm objekte të kthehen kundër nesh, duke zënë vendin tonë. Kjo shpjegon edhe valën e indinjatës orët e fundit në “X” (Twitter) ndaj zinxhirit të veshjeve dhe pajisjeve sportive “Decathlon”.

Gjithçka filloi me një foto të postuar nga një përdorues më 7 nëntor 2023, e cila tregon një varg arkash automatike në një dyqan. “Decathlon mund të dështojë” shkruhej në postim, duke supozuar mungesën totale të stafit “njerëzor”, i zëvendësuar, sipas përdoruesit, nga makineritë.

Fotoja u shkrep më pas nga një përdorues tjetër, më 9 nëntor, i cili donte të shprehte gjithë zemërimin e tij: "Ky është Decathlon, vetëm arka pa arkëtarë. Nëse vazhdojmë kështu, shumë njerëz do të mbeten pa punë”. Prej aty lindi hashtag-u “Boycott Decathlon”, i cili tërhoqi zemërimin e shumë përdoruesve, të cilët donin të shprehnin shqetësimin për ato që paraqisnin si pushime të mundshme nga puna të lidhura me automatizimin.

Megjithatë, nuk munguan mendimet e kundërta, me disa komente që duan të vënë në pah sesi arkat automatike janë prezente prej disa vitesh në biznese të shumta të rrjeteve të ndryshme, nga supermarketet e deri te shitësit e vegjël, pa çuar në pushim masive nga puna.