Si u bë Inteligjenca Artificiale nga një shpresë e humbur në teknologjinë më premtuese në botë, shkruan The Economist
Gjatë verës së vitit 1956, një grup i vogël por i famshëm studiuesish, u mblodh në Kolegjin Dartmouth në New Hampshire.
Ai përfshinte Claude Shannon, krijuesin e teorisë së informacionit dhe Herb Simon, i vetmi person që ka fituar çmimin Nobel Përkujtimor në Shkencat Ekonomike të dhënë nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, dhe Çmimin Turing të dhënë nga Shoqata për Makineri Kompjuterike.
Ata ishin thirrur nga një studiues i ri, John McCarthy, i cili donte të bisedonte se “si mund t’i bënin makineritë të përdorin gjuhën, të formonin abstraksione dhe koncepte” dhe “të zgjidhnin lloje të ndryshme problemesh si njerëzit”.
Kjo ishte mbledhja e parë akademike kushtuar asaj që McCarthy e quajti “inteligjencë artificiale”. Për 60 vitet e ardhshme, në këtë fushë, do të bëheshin përparime që nuk ishin në të njëjtin nivel me ambiciet e studiuesve.
Takimi në kolegjin Dartmouth nuk shënoi fillimin e kërkimit shkencor për makineritë që mund të mendonin si njerëzit. Alan Turing, pas të cilit është emëruar çmimi Turing, ishte skeptik për këtë ide; po ashtu edhe John von Neumann. Deri në vitin 1956, kishte një sërë qasjesh për këtë çështje.
Historianët mendojnë se një nga arsyet pse McCarthy krijoi termin “inteligjencë artificiale” për projektin e tij, ishte se ky emër i përfshinte të gjitha, duke mbajtur të hapur pyetjen se cila mund të ishte qasja më e mirë.
Disa studiues pëlqenin sistemet që ndërthurnin fakte me aksioma rreth botës, si ato në fushën e gjeometrisë dhe logjikës simbolike, në mënyrë që të nxirren përgjigjet e duhura.
Të tjerë parapëlqenin sisteme ndërtimi ku probabiliteti i diçkaje varej nga probabilitetet e përditësuara të shumë gjërave të tjera.
Në dekadat në vijim, pati shumë debate intelektuale dhe argumente mbi këtë temë, por në vitet 1980, u arrit një marrëveshje e përgjithshme mbi rrugën që duhej ndjekur: “sistemet e ekspertëve” të cilët përdornin logjikën simbolike për të kapur dhe zbatuar njohuritë më të mira njerëzore.
Qeveria japoneze në veçanti i mbështeti financiarisht sisteme të tilla, duke paguar për pajisjet që ato mund të kishin nevojë.
Por në pjesën më të madhe, këto sisteme nuk e përballuan dot rrëmujën e botës reale. Nga fundi i viteve 1980, reputacioni i inteligjencës artificiale kishte rënë. Studiuesit filluan ta shmangnin termin.
Si lindi bumi i sotshëm
Bumi i sotëm lindi pikërisht nga ata pak këmbëngulës që kishin mbetur. Pasi në vitet 1940 u kuptua më thellësisht se si funksiononin qelizat e trurit, shkencëtarët filluan të pyesnin nëse edhe makineritë mund të lidheshin në të njëjtën mënyrë si neuronet.
Në një tru njeriu, neuronet janë të lidhur në një mënyrë që lejojnë që veprimtaria në një neuron, të nxisë ose të shtypë veprimtarinë në një tjetër.
Kjo bën që një neuron të varet nga ajo që po bëjnë neuronet e tjera të lidhura me të.
Në përpjekjen e parë për ta rikrijuar këtë model në laborator (nga Marvin Minsky, një pjesëmarrës i mbledhjes në kolegjin Dartmouth), u përdorën pajisje për të imituar rrjetet e neuroneve. Që atëherë, shtresat e neuroneve të ndërlidhura, janë simuluar në softuer.
Këto rrjete nervore artificiale nuk janë programuar duke përdorur rregulla të qarta. Ata në fakt “mësojnë” duke u ekspozuar ndaj shumë shembujve.
Gjatë këtij trajnimi, forca e lidhjeve ndërmjet neuroneve rregullohet herë pas here në mënyrë që një hyrje e caktuar e një të dhëne, të prodhojë një dalje të përshtatshme.
Vetë Minsky e braktisi idenë, por të tjerët e çuan përpara. Në fillim të viteve 1990, rrjetet nervore ishin trajnuar për të ndihmuar me renditjen, duke njohur numrat e shkruar me dorë.
Studiuesit menduan se shtimi i më shumë shtresave të neuroneve, mund të lejonte arritje më të sofistikuara. Por e meta ishte se sistemet funksiononin shumë më ngadalë.
Një lloj i ri i harduerit kompjuterik siguroi një rrugëdalje nga problemi. Potenciali i tij u tregua haptazi në vitin 2009, kur studiuesit në Universitetin Stanford, rritën me 70 herë shpejtësinë me të cilën mund të funksiononte një rrjet nervor artificial, duke përdorur një kompjuter lojërash në dhomën e tyre të konviktit.
Kjo ishte e mundur sepse, ashtu si “njësia qendrore e përpunimit” (CPU) që gjendet në të gjithë kompjuterët, edhe ky rrjet, kishte një “njësi të përpunimit grafik” (GPU) për të krijuar një botë lojërash në ekran. Dhe GPU ishte modeluar në një mënyrë të përshtatshme për të lejuar zbatimin e kodit të rrjetit nervor.
Lidhja e këtij hardueri me algoritme më efikase të trajnimit, nënkuptonte se rrjetet me miliona lidhje, mund të trajnoheshin në një kohë të arsyeshme.
Gjithashtu rrjetet nervore mund të trajtonin inpute më të mëdha dhe më e rëndësishmja, atyre mund t’u jepeshin më shumë shtresa. Këto rrjete “më të thella” dolën shumë më të aftë.