Inteligjenca artificiale (AI) është një nga temat më të nxehta të momentit, me Perplexity AI që është bërë së fundmi kryefjalë.
Perplexity është një motor kërkimi dhe chatbot i fuqizuar nga AI që mbledh informacione nga burime të besueshme në internet dhe ofron një përmbledhje përmes mjetit të vet. Ky startup po përpiqet të sfidojë dominimin e Google në tregun e motorëve të kërkimit. Misioni i tij është të “demokratizojë aksesin në njohuri”, duke e bërë më të lehtë për këdo të mësojë dhe eksplorojë tema të reja.
Aktualisht, kompania merr rreth 15 milionë pyetje në ditë, sipas Wall Street Journal.
Si funksionon?
Perplexity përdor shumë modele të mëdha gjuhësore (LLM), si ato të OpenAI dhe Meta’s Llama, për të gjeneruar përmbledhje nga kërkesa juaj.
Por çfarë e bën atë të ndryshëm nga Google?
Motorët tradicionalë të kërkimit përdorin të dhëna të paraindeksuara, ndërsa Perplexity bën kërkime në kohë reale, gjë që e bën më efektiv për tema që evoluojnë shpejt, si lajmet.
Në vend që të ofrojë një listë lidhjesh, si motorët e tjerë të kërkimit, Perplexity jep përgjigje në “gjuhë të qartë dhe të përditshme”. Gjithashtu, ai tregon lidhjet me burimet që janë përdorur në përgjigje, në mënyrë që të keni transparencë mbi origjinën e informacionit.