U ka ndodhur edhe amivisave me më shumë përvojë. Një gabim i vogël mund t’ju kushtojë pulovrën e preferuar. Zakonisht, rrobat që përfundojnë nga masa M dhe L në masa për të sapolindur, ose i hedhin, ose zënë vend kot në dollap.

Pas një kërkimi, gjetëm mënyrën se si të risillni në masën e tyre normale rrobat që “hyjnë” në ujë.

Hapat që duhet të ndiqni:

Mbushni 2 legenë me ujë të vakët. Në njërin hidhni shampo për fëmijë dhe përzijeni lehtë me dorë, pa krijuar shkumë.

Vendoseni rrobën që është “shkatërruar” pa e zhytyr. Lereni në ujë për rreth 15 minuta, në mënyrë që të thithë shampon sa më mirë.

Pasi të kalojnë 15 minuta, nxirreni me kujdes dhe vendoseni te legeni tjetër me ujë. Këtë herë mund ta zhysni me duar. Lereni për pak sekonda atje dhe në vazhdim nxirreni nga uji me kujdes.

Vendoseni rrobën mbi një peshqir dhe mbështilleni me të, në mënyrë që të pijë shumicën e ujit.

Filloni ta hapni rrobën me duart tuaja, duke i dhënë formën fillestare.

Kur të shikoni se ajo është zgjeruar mjaftueshëm, lereni të thahet.