Shtëpia është gjithçka për secilin nga ne. Sot nuk ekziston më ideja se shtëpia është një kafaz me katër faqe, ku kyçesh brenda dhe pengohesh të bësh jetë sociale aktive. Sot, kjo teori ka vdekur. Shtëpia, gjithnjë e më shumë, po konsiderohet si vendi i dashur dhe i domosdoshëm i pushimit, prej të cilit marrim energjitë e duhura dhe mund të kujdesemi për veten.

Ndriçimi natyral

Për sa i përket ndriçimit në një apartament, po parapëlqehet mundësia e ndriçimit natyral. Materiale të tejdukshme perimetrale, veçanërisht me xham, dritare gati një faqe muri ose që zënë sipërfaqe të madhe, krijojnë një afërsi të pjesës së brendshme të shtëpisë me natyrën. Gjithashtu, ky ndriçim natyral, kombinuar me ngjyrën e bardhë ose nuancat e saj të përafërta, të cilat janë edhe ngjyrat e momentit, jep idenë e një sipërfaqeje shumë të madhe, që në studimet e arkitektëve të ndryshëm të huaj krijon edhe një sipërfaqe fiktive dy herë më të madhe se sa ajo reale. Për sa i përket elementëve formalë të dekorimit, tendencat janë materialet e pastra, rustike, gur përzier me metal, xham, dru. Rrinë fare mirë të tëra bashkë dhe bashkë me gjelbërimin e bëjnë shtëpinë shumë moderne dhe sa më pranë natyrës, ashtu siç duhet të ndihet në thelbin e tij të qenësishëm njeriu.

Një ambient i ngrohtë pa kondicioner

Një veçori tjetër e arredimit te një apartament kohët e fundit është eliminimi i kondicionerëve për ngrohjen e ambientit. Gjithmonë e më shumë në ndërtimet e reja, edhe të pallateve, po ndërtohen sistemet me ngrohje qendrore. Një sistem ky, i cili duhet projektuar që në fillim të një projekti ndërtese, pasi ka shumë faktorë, të cilët merren parasysh, që nga ato estetike deri në ata më të rëndësishëm, të sigurisë. Eliminimi i kondicionerëve sjell jo vetëm një ngrohje më të njëtrajtshme të gjithë ambienteve të shtëpisë në mënyrë të njëjtë, eliminon sëmundje, ul koston e vendosjes së kondicionerëve në çdo dhomë, heq angaritë e pastrimit dhe riparimit të tyre, por vlen edhe nga ana estetike.

Gjelbërim brenda shtëpisë

Duket më e parëndësishmja nga të gjitha, por luan në të vërtetë një rol të rëndësishëm në arredim. Mund t’u duket çudi, por tendenca më e re është eliminimi i vazove të luleve nga shtëpitë! Ambienti i gjelbër duhet zëvendësuar dhe kjo bëhet me minilulishte brenda shtëpisë. Që do të thotë krijimi i një sipërfaqeje të madhe, që në stilet më moderne të arredimit zgjidhet kryesisht në qendër të shtëpisë, me mbjelljen e bimëve të shkurtra, të cilat përveç formës kërkojnë dhe një përshtatje ngjyre me ambientin përreth. Ky koncept “garden-in-the-house” zgjedh bimësi që durojnë mungesën e dritës ose anasjelltas. Dheu mund të ndërrohet çdo vit si edhe vazot. Eksperimentohet kryesisht në shtëpitë e atyre që nuk kanë vila, por kanë apartamente të bollshme ama e që mund të realizojnë lehtësisht shumë fantazi dhe tendenca që iu propozojnë arkitektët.

Pa kosto, me klas

E sjellin ato detajet që bëjnë diferencën, siç jemi mësuar t’i quajmë. Që duhet t’i keni parasysh për të treguar klasin edhe në shtëpitë më të thjeshta dhe me hapësira minimaliste. Tendencat e cilësisë së lartë, sot po gjejnë vend edhe në shtëpitë më modeste dhe me sipërfaqe të vogël. Mjafton të kesh guxim për t’i përdorur dhe je gati për ta bërë shtëpinë të duket elegante. Mjaft më me kombinime fikse dhe harmonike! Guxo dhe merr përsipër riskun e kombinimit të motiveve dhe vendosi bashkë ato. Sekreti i kombinimit të tyre qëndron pikërisht te ngjyrat. Nëse ngjyrat janë harmonike, ato gjithmonë përputhen dhe shkojnë me njëra-tjetrën. Kjo tendencë e bën shtëpinë më të gëzueshme. Mos u druaj të provosh ngjyra, copa, materiale dhe thurje të ndryshme.

Afrohu më shumë me natyrën

Elementët natyralë janë të këshilluar të përdoren pa kriter në shtëpi. Arkitektët këshillojnë që këta elementë t’i përdorni në mobilie, në mure, si dhe nëpër aksesorë. Një rast tipik është lëkura e lopës apo e kalit, shumë të përdorshme për t’u shtruar në dysheme, (edhe të kushtueshme, në fakt J). Ky element natyral përbën një kontrast të madh me pjesën tjetër të shtëpisë, e cila mund të jetë shumë e thjeshtë. Gjithashtu, edhe një mobilie e punuar me një dru të veçantë si për shembull arrë apo qershi, preferohet, sepse përveç vlerës natyrore që ka, krijon një thyerje të këndshme nga ana vizuale.

Mobilie me tone të lehta

Druri me tone të lehta është gjithashtu tendencë këtë sezon, këshillojnë arkitektët. Ngjyrat e drurit që anojnë nga tonet e mjaltit apo të karamelit, pra sa më të çelëta, me ndonjë dizenjo të vogël të thjeshtë dhe me shkëlqim. Kjo të krijon idenë se mobilja është më e lehtë dhe nuk të pengon gjatë qarkullimit në shtëpi. Mobiliet e drurit me ngjyra të çelura lejojnë përdorimin e tapeteve me dizenjo të ngarkuar, me ngjyra të forta e me kontrast mes tyre. Ndërsa lëkura e lopës është një aksesor mjaft i rëndë nga ana pamore, rrjedhimisht duhen kursyer vogëlsirat, zbukurimet e vogla dhe kontrastet e forta të ngjyrave, sepse në të kundërt, pamja nuk do ishte çlodhëse.