Festat të lindin dëshirën për të bërë dhurata që ndonjëherë kthehen edhe në detyrim. Mos e lejoni të prishet magjia duke menduar për çmimin apo si do ia dilni në një kohë me shumë shpenzime. Këtu keni disa ide, të cilat kushtojnë deri në 100 lekë të reja.

Për fëmijët

Një libër. Afrojini fëmijët me librat, aq më tepër në një kohë pushimesh kur mund t’ia lexoni në mbrëmje. Botime për fëmijë të të gjitha moshave gjeni në çdo librari të qytetit.

Për familjen

Një shishe verë ose spumante. Napoleon Wine & Spirits te rruga Sami Frashëri, pranë sheshit Wilson ofron këtë dhjetor disa lloje verërash të kuqe, të bardha dhe rose dhe spumante, brenda kartëmonedhës së përcaktuar.

Për adhuruesit e çokollatave

Një pako me çokollata. Me Bacci do argëtohen edhe me shprehjet e artistëve të mëdhenj të shkruara në letrat e tyre mbështjellëse.

Për më të moshuarit

Një ose dy korniza fotografish që të vendosin foton e tyre dhe të familjes. I gjeni te Rossman Lala, apo Jumbo, por edhe në shumë dyqane të ngjashme. 

Për artdashësit

Dy bileta për në teatër. Teatri Eksperimental vazhdon shfaqjet deri më 29 dhjetor.

Për të apasionuarit pas gatimit

Një miks erëzash në dyqanet e specializuara, siç është Neranxi. Mjaftojnë në sasi të vogël për të zgjuar shijen gjithë vitin.

Për të fiksuarit pas celularit

Një këllëf të personalizuar celulari. Gjeni faqen Covera të personalizuara në FB dhe porosisni cover-in tuaj.

Për shoqen dhe çdo vajze që i bën dhurata

Një parfum deodorant me aromë festive. Bottega Verde, rruga Myslym Shyri ose TEG, e sjell me tri aroma dhe me çmim 950 lekë. Vizitoni faqen bottegaverde.al nëse dëshironi ndonjë opsion të ndryshëm, brenda këtij çmim gjeni edhe krem duarsh apo qumësht larës.

Për shokut dhe çdo djali që i bën dhurata

Një bluzë të stampuar me një shprehje të këndshme apo foto qesharake. Blini një bluzë të thjeshtë njëngjyrëshe në dyqanet e veshmbathjeve dhe stampojini foton apo shprehjen. Mund të jetë edhe e çmendur, një shaka intime, sepse në dimër bluzat me mëngë të shkurtra mbahen poshtë veshjeve të tjera dhe nuk duken.

Për veten

Qirinj aromatikë. Mund të zgjidhni disa të vegjël, ose më pak në numër, por të mëdhenj. Shërbejnë njëkohësisht për ndriçim, aromë dhe dekor. Do të ndezin atomsferën festive në shtëpi duke e bërë mbretërinë tuaj nën çati dhe kohën kur nuk doni të dilni nga shtëpia, më të bukur.