Helena Kadare, shkrimtarja dhe përkthyesja shqiptare, por që ka zgjedhur të jetë, së pari, bashkëshortja e shkrimtarit të madh, në një intervistë për Tirana Post, ka folur edhe për përshtypjet e saj për gratë dhe burrat shqiptarë.

Sigurisht, si kushdo, edhe ajo ka një përshtypje për ta dhe gazetarja Mira Kazhani ka dashur të zbulojë çfarë mendon gruaja e një prej burrave më të famshëm shiptarë, e cila prej vitesh është në kontakt me mjedisin ndërkombëtar, për burrat shqiptarë të këtyre kohëve.

“Natyrisht që ndihet ndryshimi. Ajo që bie në sy për keq është prirja e një shtrese të caktuar të djemve të rinj, ajo e parellinjve ,do të thoshja, djelmurina të pasur nga shkaku i prindërve që kanë dhe jo nga ndonjë meritë speciale e atyre vetë. Me habit kur i dëgjoj që flasin dhe nuk e kanë për gjë fare të shpalosin para publikut pa turp e pa drojë një mirëqenie që çdo njeri me pak mend do ta vinte në pozitë të vështire para moshatarëve, që nuk i kanë këto mundësi. Ose dhe para gjithë publikut që i sheh e i dëgjon. Nuk kuptoj, kujt i krekosen ata? Një populli me probleme ende të rënda jetike? Përse e bëjnë, ju jep kënaqësi perverse kjo gjë? Dëgjo Mira, ka 26 vjet që jetoj në perëndim dhe mund të them se kam parë shtresa nga më të ndryshmet të shoqërisë franceze, me një nivel të konsoliduar mirëqenieje, po kurrë, asnjëherë nuk kam arritur të kuptoj, se jashtmi së paku, se kush është i pasuri dhe kush është i varfëri. Në botën e qytetëruar këto gjera nuk thuhen kurrë haptazi. Sepse është turp, është e papranueshme mburrja për gjëra të tilla”, ka thënë ajo.

Më pas ka folur edhe për vlerën e vërtetë të një burri sipas saj, duke dhënë, edhe pse nuk është në stilin e saj, një këshillë për vajzat, që shpesh mund të tërhiqen nga sjellja e meshkujve të huaj.  

“Për mua është integriteti që ai ka. Shtoi kësaj edhe gjenerozitetin shpirtëror, e kam fjalën. Njerëzit e këtij lloji, për fat të keq, në kohët që jetojmë sa vijnë e po rrallohen. Por kjo nuk do të thotë që mungojnë. Për mendimin tim, djemtë dhe burrat shqiptarë, të kuptohemi, ata që e kanë në gen dhe që janë të pajisur me vlerat e qytetërimit, (dhe fatmirësisht po i vijnë Shqipërisë) janë më superiorë se në këtë botën këtej. Nuk pretendoj se i njoh të gjitha shtresat, për të cilat po flasim, por ka midis tyre djem të zotë me kualitete shpirtërore, që vlejnë 100 herë më fort se shumica e parellinjve që ka bota sot. Vajzave që njoh iu them shpesh: Zgjidhni dhe merrni burra shqiptarë.”

E dëgjuat vajza?