“Më ka lënë kujtimin më të bukur të jetës …” Kështu e konsideroi Mariza Ikonomi këngën “Telefonatë zemrash” që ka kënduar me kantautorin Françesk Radi, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Dhurata që ai i la në fëmijëri e ka shoqëruar Marizën gjatë gjithë viteve të jetës së saj artistike dhe profesor Franko, siç e thërriste ajo gjithmonë, ka qenë bashkudhëtar si baba, si mik e si profesori më i dashur, me shpirt të bardhë fëmije.
Mbrëmjen e së mërkurës, Mariza ka qenë e ftuar në Top Show Magazine për të kujtuar kantautorin e njohur përmes dhuratës më të bukur që ai i ka bërë në jetë – Telefonatë zemrash.
Para se të mblidhte forcat për ta kënduar vetëm këngën, Marika ka kujtuar momentin kur Françesk Radi kishte shkuar në Pallatin e Pionierit për të zgjedhur një vajzë që do t’i jepte këngën: “Unë kam qenë vetëm 10 vjeç dhe ka qenë ai momenti që ai kërkonte një vajzë të vogël që të këndonte këngën “Telefonatë zemrash” dhe unë e shkreta drishesha “ishalla isha unë”. Provoi disa vajza derisa zgjodhi dy prej tyre. Ishte nje kompeticion I bukur. Dëshiroja shumë që të isha unë. Madje, kam bërë edhe lutje natën që të më zgjidhte mua…. “ – tregon Mariza me emocion.
Ai moment do të ishte më i lumturi për të edhe për shumë vite që do të vinin, sepse “Telefonatë zemrash” u kthye në kolonën zanore të të gjitha familjeve, ndërsa për Marizën u kthye në këngën e jetës: “Më ka lënë kujtimin më të bukur të jetës sime. Jam shumë e lumtur që kam kënduar dhe që e kam njohur…”