Keni ndarë bashkë çdo gjë. Shtëpinë e parë me qira. Tasin e akullores. Keni veshur fustanet e njëra-tjetrës. Keni harxhuar të dielat duke u vërdallisur në qytet dhe keni ngrënë bashkë darkat e varfra të fundmuajit. Keni qëndruar zgjuar me orë të tëra për të folur për dashurinë e saj. Që po bëhej serioze. Shumë. Dhe ajo u zhvendos te ai. Dhe pastaj vendosën të martoheshin. Sot ajo është zonja X ndërsa ti vazhdon të flesh vetëm, të duhet një shoqëruese për ditën e pushimit dhe ndonjë fustan tjetër veç atyre që qëndrojnë varur në gardërobën tënde, kur kompania bën festën e fundvitit. Të duhet dikush për të zbërthyer atë fjalinë që të tha ai djali që po të pëlqen, por nuk mund ta bësh më këtë bisedë, as në telefon, me shoqen tënde që tani është bërë mami dhe ka të tjera preokupime. Dhe kalojnë ditë pa u takuar, sepse të dielave ajo duhet të takojë familjen e bashkëshortit, po dhe programi i është pasuruar me të tjera ditëlindje e fejesa dhe nuk është gjithmonë e lirë. Eh, gjërat kanë ndryshuar! Ja konkretisht si:
Është e pamundur të komunikosh çdo ditë
Ke menduar që është krejt normale të flasësh me shoqen e ngushtë çdo ditë, ose të paktën disa herë në javë, por duke hyrë në faza të ndryshme të jetës, bëhet e vështirë edhe të dërgosh një mesazh. Mes punës dhe detyrimeve të përditshme një grua e martuar me fëmijë mund të dërgojë mesazhe herët në mëngjes për të pyetur shoqen si ka qenë, por kjo e sheh vetëm në orën 10 kur del për në punë. Në atë kohë, shoqja e martuar mund të jetë mbyllur në një mbledhje të gjatë dhe pasi del sheh që ka një thirrje të humbur, por pasdite vonë ajo e di që nuk mund të flasë me shoqen e saj beqare sepse kjo është në palestër. Dhe ditët ikin. Mesazhet ngelen të vetmuara gjatë ditëve të punës dhe arrijnë të marrin përgjigje në ndonjë çast unik kur të dyja janë të lira.
Shqetësimet janë shumë të ndryshme
Ndërsa njëra duhet t’I blejë krevatin fëmijës dhe kërkon këshilla, tjetra duhet të japë një provim. Është mirë të mos nisësh debate cila ka shqetësime më të mëdha sepse mund të përfundojnë në konflikt ngaqë askush nuk e kupton dot plotësisht tjetrën. Ti mund të jesh diplomuar para pak kohësh dhe e di çfarë torture janë provimet, por fakti që e ke kaluar atë dhe tani po përballesh me sfida të tjera, e di që ka shqetësime edhe më të mëdha sesa shkolla. Nëse i shkruan për problemet e tua, ajo do të përgjigjet me problemet e veta dhe ty do të kujtohen të gjithë ata që dikur kur u flisje për shkollën, të thoshin që jeta nuk është vetëm provime dhe ti mendoje që ata nuk të kuptonin.
Nuk takoheni çdo ditë si dikur
E ke pasur në shkollë, ose banonit në të njëjtën shtëpi. Shiheshit çdo ditë dhe sapo e shikoje kuptoje a kishte thënë të vërtetën kur të ishte përgjigjur “jam mirë” në mesazh. Kur nuk takohesh me dikë përditë, nuk mund ta kuptosh. Ju mund të komunikoni me mesazhe, por shumë gjëra humbasin mes rreshtave ngaqë nuk takoheni. Ato që thoni janë ato gjërat e zakonshme, por më të thellat ngelen të pathëna.
Përparësitë e jetës janë plotësisht të kundërta
Ndonjëherë njërës mund t’i vijë të bërtasë “Nuk më duhet fare çfarë do veshësh ti te ajo festa.” Sepse i është prishur lavatriçja, e ka djalin me kollë dhe shefin me nerva. Habitet si shoqja tjetër nuk e kupton që hallet e saj nuk janë fundi i botës, por sërish nuk mund ta fajësoj. Askush nuk i kupton plotësisht pozitat e tjetrit dhe vetë dikur ke bërë të njëjtën gjë, e bëje të madhe provimin e fundit, festën e fundjavës dhe shikimin e atij tipit. Sot gjërat kanë ndryshuar. Shoqja e ka gdhirë në një party ndërsa ti ke fjetur që në 9.00 që të zgjoheshe herët për ditën më të ngarkuar të vitit.
E megjithatë, pasi thamë të gjitha këto, asgjë nuk e prek miqësinë tuaj. Ajo mund të mos jetë më aq aktive sa dikur, por ngelet një thesar i fituar në vite. Shoqja jote e ngushtë ngelet shoqja jote e ngushtë, që bëhet serioze para prindërve të bashkëshortit tënd dhe si fëmijë para fëmijëve të tu, këshilluesja jote, burim i optimizmit dhe ia vlen aq shumë të ndalesh që t’i japësh një këshillë, si për diçka që ka të bëjë me të ardhmen e saj, ashtu edhe për veshjen e festës së kompanisë. E kush tjetër, kur të gjithë të kujtojnë detyrat dhe kërkojnë diçka nga ty, do të ndihmojë për ta bërë çdo gjë më të lehtë e do të marrë prej dore për t’u sjellë edhe një herë si dikur, kur ishit dy shoqe të ngushta pa preokupime!