Ndonjëherë kur je e detyruar të punosh edhe në ditë të nxehta, të dalësh jashtë për takime është një torturë e vërtetë, aq më tepër kur ke një takim të rëndësishëm pune dhe duhet të jesh e pastër dhe jo e djersitur. Po si t’ia bësh?

Nëse gjendesh në një situatë që do ta freskosh veten shpejt dhe në pak minuta, provo këto truke. Funksionojnë gjithmonë (arsyeja është shkenca, natyrisht)

Vendos diçka të ftohtë mbrapa qafës. Sensorët e temperaturës së trupit gjenden në qafë, kështu që nëse freskohesh aty, mund t’ia transmetosh freskinë edhe pjesës tjetër të trupit duke i dërguar sinjalin të ndihet më freskët nga ç’ishte pak minuta më parë.

Nëse je në shtëpi, përdor një kub akulli, një peshqir të ftohtë ose një qese me bizele të ngrira. Nëse je në punë, përdor një peshqir ose letra higjienike të lagura me ujë. Ose nëse do që kjo freski të zgjasë, atëherë mbështill disa kuba akulli në një shami apo shall dhe lidhe rreth qafës.

Hidh pak ujë të ftohtë në kyçet e duarve. Nxehtësia vjen nga trupi në disa pika kyçe si në duar, këmbë dhe vesh. Nëse këto zona të veçanta i freskon më shpesh dhe më shpejt, atëherë qetësimi do të jetë i menjëhershëm. Mjaftojnë vetëm 10 sekonda për t’u hedhur pak ujë të ftohtë kyçeve të duarve. Ky fakt mund ta ulë temperaturën e trupit për rreth një orë (koha është e mjaftueshme për të bërë një takim).

Nëse je në shtëpi, mbushe vaskën me ujë të ftohtë, futi këmbët brenda dhe mbaji ashtu për disa minuta. Nëse ftohen këmbët, ftohet i gjithë trupi. Në këto raste, edhe një pishinë plastike me ujë të ftohtë të hyn në punë. Luaj bashkë me fëmijët.