Për çdo grua që është ndier ndonjëherë e nënvlerësuar apo që ka menduar të heqë dorë nga ëndrrat e saj, Erika do të jetë si një fllad çlodhës dhe gazmor.
Erika Kanteli ndihet shumë e rënduar, por kjo nuk ka aspak lidhje me kilet e tepërta që po mundohet të heqë. Në pamje të parë, ajo përcjell një imazh mbresëlënës, ku shkrihen në një gruaja me një karrierë të suksesshme, bashkëshortja ideale dhe nëna e jashtëzakonshme me dy fëmijë të mrekullueshëm. Në realitet, nuk i mjafton as ditë-nata e plotë për të përmbushur gjithë detyrat, ka një bashkëshort që ekziston vetëm si barrë në jetën e saj, mezi e nxë fustani i masës njëzet dhe i vetmi burrë që i shfaq ngrohtësi është shoku i saj i ngushtë gay.
Mes zemërimit dhe mllefit, Erika ëndërron të heqë qafe të shoqin, që është gjithnjë e më shpërfillës ndaj saj e familjes. Kjo dhe ëndrra me sy hapur për Xhulianin, një burrë tmerrësisht i pashëm dhe mrekullisht i vëmendshëm ndaj saj, do ta ndihmojnë të mos çmendet.
Por teksa i shoqi rreket ta zëvendësojë me një modele bukuroshe të masës zero, Erika kupton se duhet ta ndryshojë rrënjësisht jetën e saj. Të fillojë dieta masakruese? Të bëjë operacione për zvogëlimin e stomakut? Apo rruga e vërtetë drejt lumturisë është të çlirohet krejtësisht prej tij?
“Dieta e pasionit” është për të gjithë ata që vlerësojnë humorin dhe sarkazmin. Me një sinqeritet të mirëfilltë që është sa zbavitës aq edhe prekës, do të qeshni e do të qani, ndonjëherë edhe në të njëjtën kohë.
Mbi autoren
Nancy Barone është rritur në Kanada, por kur ishte në moshën dymbëdhjetëvjeçare, familja e saj vendosi të zhvendosej në Itali. E katapultuar tashmë në një botë ku kontakti i saj i vetëm me anglishten, ishin librat e vjetër të Judy Blume-it, bënë që Nancy të shndërrohej në një lexuese të zellshme dhe në një romantike të pashërueshme. Nancy vendosi të qëndronte në Itali, por edhe pse e rrethuar nga burra të pashëm italianë, ajo martua me një britanik edhe më të pashëm. Ata tanimë jetojnë në Siçili, ku ajo jep mësime anglishteje. Nancy është anëtare e Shoqatës së Romancierëve Romantikë dhe një mbështetëse mjaft e madhe e Women’s Fiction Festival, që mbahet në Matera, ku ajo takohet me miq shkrimtarë nga e gjithë bota.
E gjeni në shtëpinë botuese Pegi. :)
Titulli: Dieta e pasionit
Autore: Nancy Barone
Përkthyesi: Malvin Zaimi
Zhanri: Romancë, Chick-Lit
Data e botimit: nëntor, 2023
Numri i faqeve: 382
Çmimi: 1200 lekë
ISBN: 978-9928-371-69-0
Mosha e sugjeruar: 18 vjeç e lart