Dikush ka thënë:

“Për gratë, kënaqësia seksuale dhe frika nga dhuna do të jenë gjithmonë të lidhura dhe ne duhet të përballemi me këtë.”

Nëse takon një të panjohur në bar, flirton dhe ai kërkon të shkosh në shtëpinë e tij, gjithmonë do të pyesësh veten nëse është e rrezikshme.

Kjo është e pashmangshme, për shkak të shumë përvojave të këqija të jetuara ose të rrëfyera dhe rasteve të raportuara që na bëjnë vigjilentë.

Tani që takimet janë zhvendosur online, ekziston një nivel tjetër rrezikshmërie.

Shenjat dhe kodet që kemi mësuar të deshifrojmë në jetën reale po ndryshojnë, dhe duhet të përballemi me profile të rreme, njerëz të këqij që fshihen pas bisedave dhe takime me njerëz që i kemi parë vetëm në foto.

Prandaj është e rëndësishme të mbash gjithmonë në mendje sigurinë personale.

Mbrojtja e privatësisë

Një aspekt thelbësor në jetën tonë online është privatësia. Në botën e takimeve, ne shpesh ndjehemi të shtyra për të hapur veten për të njohur dikë, por duhet të kujtojmë se disa informacione nuk duhen ndarë. Kjo vlen për të dhënat personale, adresën dhe veçanërisht për gjithçka që lidhet me financat, llogaritë bankare, fjalëkalimet etj. 

Gjithashtu, është mirë të pritet pak kohë para se të zhvendosen bisedat nga aplikacioni i takimeve në një platformë tjetër, si WhatsApp, që kërkon shkëmbimin e numrit të telefonit. Kjo shmang ekspozimin ndaj individëve me qëllime të këqija. Nëse ndahen imazhe ose përmbajtje intime, është më mirë të përdoren aplikacione të posaçme që ofrojnë më shumë siguri, duke garantuar fshirjen e materialit pas dërgimit.

Kujdes ndaj profileve të rreme

Një studim i Bumble zbuloi se globalisht, përdoruesit i konsiderojnë profilet e rreme dhe mashtrimet si shqetësimet kryesore në takimet online. Gati gjysma e grave të anketuara (46%) shprehën ankth për autenticitetin e personave që takojnë në këto platforma.

Tinder gjithashtu ka shtuar veçori që mbështesin sigurinë, si “Chat vetëm me Profile të Verifikuara” dhe kërkesa për verifikim përpara fillimit të një bisede.

Takimet në vende të sigurta

Kur është koha për të takuar dikë, rekomandohet një videocall paraprak për t’u njohur më mirë dhe për të reduktuar rreziqet. Takimet është mirë të zhvillohen në vende publike dhe të ndahen detajet e takimit me një person të besuar. Në këtë mënyrë, mund të shijoni takimin dhe të krijoni një lidhje të re pa shqetësime të panevojshme.