Nëse je një person që zgjohesh herët në mëngjes, këtu do të kuptosh se sa shumë prioritete ke në ndryshim nga të tjerët. Njerëzit e mëngjesit janë më të lumtur sesa ata të natës, sipas një studimi të fundit. Megjithatë, pavarësisht se ç’tip je, është mirë t’u hedhësh një sy zakoneve të mëngjesit që kanë njerëzit e lumtur, sepse mund të frymëzohesh nga ata. Shumë prej atyre që kanë arritur të gjejnë suksesin profesional pranojnë filozofinë që disa gjëra duhet të bëhen qysh herët në mëngjes. Ama gjëra të mira!
Nga një studim i ritualeve të mëngjesit, janë nxjerrë 10 gjëra që njerëzit e lumtur i bëjnë çdo ditë në mëngjes.

Zgjohen mirënjohës

Njerëzit e lumtur, pasi zgjohen në mëngjes, ndihen mirënjohës ndaj jetës dhe ndaj të qenit gjallë. I janë mirënjohës jetës për dhuratën dhe gëzimin e një dite të re. Por edhe kur gjërat janë negative, ata në mendjen e tyre krijojnë një listë me të gjitha gjërat pozitive.

Nuk e shmangin kurrë mëngjesin

Ata e dinë që ngrënia e mëngjesit është vakti më i rëndësishëm i ditës, sepse ai ofron të gjitha vlerat ushqyese thelbësore për të pasur një ditë të suksesshme dhe me energji. Planifikimi i një mëngjesi të mirë një natë para është një ide shumë e mirë. Para se të flesh, mund të bësh gati disa ushqime, për të kursyer kohë në mëngjes, pa rënë nën presionin e kohës.

Nuk e harrojnë kurrë lidhjen shpirtërore

Nëse zgjohesh herët në mëngjes, flladi dhe era e mëngjesit të japin jetë dhe frymëmarrje. Njerëzit e lumtur meditojnë për të çliruar mendjen e tyre, shkojnë në kishë apo xhami që të luten për veten. Pasi zgjohen, ata i kushtojnë kohë meditimit, yoga-s, lutjeve apo aktiviteteve të tjera me lidhje shpirtërore. Kështu, çdo mëngjes ata gjejnë kohën për lidhjen me shpirtin.

Merren me aktivitet sportiv para se të fillojnë punën

Shumë njerëz preferojnë të ecin herët në mëngjes, para se të fillojnë punën, por shumë të tjerë si Presidenti Obama fillojnë stërvitjen që në orën 6.45. Një studim tregon se sa më shumë ushtrime të bëni në mëngjes, aq më e dobishme do të jetë dita, edhe pse kjo mund të mos u përshtatet të gjithëve për shkak të kohës së kufizuar dhe punës.

Planifikojnë vepra të mira

Benjamin Franklin ka një thënie të famshme: “Pyetja e mëngjesit: ç’gjë të mirë do të bëj sot?” Kjo është tipike për njerëzit e lumtur. Kur ndihmojnë të tjerët, atyre u shtohet lumturia, kur për gjithë të tjerët do të ishte një barrë. Studimet e publikuara në “Journal of Happiness Studies”, e ilustrojnë shumë qartë këtë.

Nuk mendojnë për të kaluarën

Njerëzit e lumtur kanë një gjë të përbashkët: nuk ndjejnë keqardhje për të kaluarën. Ata e dinë se jeta është dhuratë që duhet jetuar dhe çdo ditë e së tashmes për ta është çështja kryesore. Ata nuk e lënë kurrë veten të rrëmbehen nga e kaluara.

E kthejnë lumturinë në zakon

A e dini se më shumë se 40 për qind e aktivitetit tuaj të përditshëm nuk është gjë tjetër veçse rutinë? Pra, gati gjysmën e kohës nuk je gjë tjetër, veçse një autopilot. Dhe ndryshimi i njerëzve të lumtur me të tjerët është se mirënjohjen, gëzimin dhe kënaqësinë e bëjnë pjesë të rutinës së tyre, aq sa një pjesë e kësaj rutine punon gjithmonë për ta, sidomos në mëngjes.
Refuzojnë “çmenduritë” e mëngjesit

Njerëzit e lumtur nuk e nisin ditën me “çmenduri” të tilla si lajmet apo mesazhet nga posta elektronike. Ata nuk e dëmtojnë qetësinë e mëngjesit dhe nuk e lodhin mendjen shumë herët. Kjo për ta është shumë e rëndësishme. Mesazhet mund të presin një moment më të vonë gjatë ditës, duke i ndihmuar kështu edhe për t’i menaxhuar të gjitha takimet dhe detyrat e ditës me shumë qetësi.

Vendosin objektiva

Njerëzit e lumtur janë njerëz të organizuar. E dinë kur duhet ta fillojnë punën apo kur duhet të marrin detyra të vështira, ndaj vendosin gjithmonë objektiva. Qëllimet e punës së tyre i kanë të qarta dhe gjithmonë vendosin përparësi në përditshmërinë e tyre. Kjo mënyrë e të punuarit u rrit atyre lumturinë. Ata punojnë projektet që kanë në kohën e tyre ideale, para se i gjithë përqendrimi të shkojë tek kolegët, familja apo punët e tjera që nuk janë me prioritet.

Janë abonuar me lumturinë

Kur ndeshesh me njerëz të lumtur, të krijohet përshtypja se ata kanë lidhur një marrëveshje të përjetshme me lumturinë. Kjo, sepse ata nuk shpresojnë dhe nuk presin, si pjesa më e madhe e njerëzve, që ngjarje të rastit të trokasin në jetën e tyre dhe t’u falin lumturi. Ata e krijojnë lumturinë rreth vetes dhe nuk kursejnë t’ua shpërndajnë atë edhe të tjerëve. Kjo është edhe arsyeja pse ata gjithmonë janë jashtë turmës.