Në qytetin Aleppo të Sirisë gjendja është shumë e rëndë. Bombardimet kanë rinisur. Raportohen të vrarë, të plagosur e përdhunuar, në qytetin e bllokuar mes forcave ushtarake shtetërore që masakrojnë civilët dhe rebelëve. Evakuimi i qytetarëve nuk është realizuar siç ishte premtuar. Frikë, terror dhe dhimbje.

Disa politikanë, po ngrenë zërin duke thënë që kjo situatë është edhe pasojë e mosndërhyrjes së shteteve të tjera në një konflikt që ka sjellë kaq shumë shkatërrim dhe sërish, para imazheve të dhimbshme, duket sikur nuk mund të bësh asgjë për t’i ndalur dhe pse diçka duhet bërë.

Disa persona të thjeshtë dhe të njohur kanë ndarë në faqet e tyre imazhe nga Aleppo, shumë të forta, por ato që ne mezi i shohim, janë pamje të njerëzve që jetojnë atje dhe që atë terror që ne na tremb ta shohim nga larg, e jetojnë.

Sadije Berisha, e cila vazhdimisht poston foto nga jeta e saj në Suedi, me familjen, me kuajt apo me ushqimet që përgatit, ka vendosur që të mos vazhdojë më të postojë këto foto. Ajo e di që kjo nuk do të ndryshonte gjë, por është po aq e vërtetë që nuk të bëhet të qeshësh apo të shfaqësh bukuritë e jetës aty ku të tjerët vriten dhe qajnë.

Dhe nëse ndihesh i pafuqishëm përballë kësaj situate, ka një mundësi sado të vogël për të ndihmuar duke qenë që, sipas Sadije Berishës, në Tiranë ka disa refugjatë sirianë të ikur nga lufta e atjeshme. Sadija ka vënë në dispozicion adresën e saj të emailit për të mësuar më shumë si mund të ndihmohen këta refugjatë.

“Fotot në mediat sociale nga Siria më ndikojnë prej kohësh, më kanë bërë të ndihem e pafuqishme dhe të ndihem keq në stomak. Thjesht, si shumë të tjerë, i kam kaluar me shpejtësi duke mos dashur të shihja foto të fëmijëve me gjak, duke qarë, që ndikonin ditën time. Sot, njoftimet në rrjetet sociale janë plot me ato dhe është e vështirë t’i kalosh, kështu që nuk ka si të mos ndihesh keq.

Ndërsa unë postoj foto të lumtura të jetës së përditshme, ushqime, veshje, familjen, miqtë dhe kafshë të ushqyera mirë, duke dashur të ndaj dhe duke shpresuar të frymëzoj, Siria po përpiqet për të marrë frymë. Nuk do të postoj foto fëmijësh të gjakosur, nuk mundem t’i shoh, por nuk do të postoj as foto të lumtura ushqimi, jete luksoze për sa kohë kjo luftë do të vazhdojë.

Kjo nuk do të ndryshojë gjë, e di!

Dhe pjesa tjetër e botës nuk mund të ndalojë të jetojë për shkak të problemeve në Siri, e di!

Nuk po postoj "jetesën e lumtur" sepse tani më bën të ndihem e shtirur dhe boshe, egoiste dhe injorante.

Unë nuk mund të shoh foto nga Aleppo dhe të postoj një tjetër "më shikoni mua dhe fotot e jetës sime inspiruese".

Kjo më bën të ndihem fajtore.

ZOT më jep forcë të pranoj çfarë nuk mund të ndryshoj.

Më jep kurajë të ndryshoj çfarë mundem.

Dhe diturinë për të dalluar diferencën” shkruan ajo.

Më pas Sadije Berisha jep adresën e saj të email-it sepse ka një listë të refugjatëve sirianë të ardhur në Tiranë dhe nëse doni t’i ndihmoni, mund t’I shkruani asaj!

Kontakti është [email protected], nëse mund t’i ndihmoni!