
Nga motrat Neranxi, Kristina është më e njohura. Kur ende nuk kishte mbushur 18 vjeçe, mori pjesë në Miss Shqipëria dhe, megjithëse kjo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për të, sot, pasojat nuk janë krejt të parëndësishme. Që nga ajo kohë, media i referohet herë pas here dhe kjo, e pranon, i pëlqen. Ndryshe është Efi, motra e madhe, e cila i rri larg medias dhe sapo ka bërë një përjashtim duke u shfaqur, madje bashkë me të bijën, Chloe. Megjithatë, asgjë nuk ka ndryshuar. Është vetëm një përvojë. Menjëherë më pas, do tërhiqet në pozicionin e saj të përhershëm. Nuk është që e thotë duke u ankuar për këpucët e larta, apo fustanin e gjatë, por thjesht kuptohet. Kështu është natyra e saj dhe ajo, ndryshe nga ç’ndodh jashtë nesh, nuk ndryshon me stinët.
Në të vërtetë Efi nuk ankohet për asgjë. As Kristina. Edhe pse është shtatzënë, në pritje të fëmijës së saj të parë. Ka një mirësjellje konstante tipike të Lindjes, por të krijohet përshtypja që nuk e ka marrë gjatë viteve të kaluar në Pekin. Duket se është pjesë e natyrës së saj, bashkë me atë buzëqeshjen diellore dhe zërin e ngrohtë. Edhe për faktin që, megjithëse të ndryshme boll, po aq e sjellshme dhe e pallastuar është edhe Efi.

Ti nuk e di asnjëherë, me disa personazhe, nëse vërtet, sado që të jetë ora, ata sapo janë zgjuar. Nëse vërtet, jeta e tyre është aq e ngarkuar, sa kanë vendosur të jetojnë pa barrën e memories. Megjithatë, motrat Neranxi, nuk bëjnë pjesë te ky grup. Ato, çuditërisht për atë që edhe mund të presësh nga fëmijët e familjeve të pasura, nuk e kanë sindromën e divave.
Efi dhe Kristina nuk e mohojnë që janë dy vajza të përkëdhelura nga jeta duke u rritur në një familje të pasur që u ka mundësuar gjithçka. Kjo dihet edhe pa i njohur ato, mirëpo ajo që nuk dihet është që, njëkohësisht, Efi dhe Kristina janë vajzat që çdo prind do kishte dashur të kishte. Ndërsa i kanë bërë shkëlqyeshëm detyrat gjatë viteve të studimeve, vazhdojnë të japin maksimumin në biznesin e familjes, por dhe në aktivitetin e tyre, Divina-n, edhe pse prej tetë vitesh, Efi është mama e një vajze, ndërsa Kristina, prej gjashtë muajsh, po jeton shtatzëninë e saj të parë. Dhe kur e dëgjon rrëfimin e Efit, sesi e ka përfunduar masterin e dytë në Holandë, duke studiuar 12 orë në ditë, vetëm që fundjavave të vinte në Shqipëri pranë së bijës, nuk të duket më fare si historia e një vajze të përkëdhelur.
Ato ndoshta do të mbanin të njëjtat pozicione në kompaninë e familjes edhe sikur të mos ishin pajisur në disa universitete të huaja me njohuritë e nevojshme për këtë aktivitet, sepse, kuptohet, familja do i kishte vendosur aty, por ja që historia e tyre nuk është e tillë dhe, pikërisht sepse është ndryshe, ia vlen të tregohet në një kohë kur modelet e suksesit në Shqipëri janë të tjera.
Dhe po e nisim që nga fillimi...
Efi ka lindur në Himarë, në vendlindjen e të atit, ndërsa Kristina në Pogradec. Prindërit e tyre kanë emigruar në Greqi që në vitin 1989, për t’u kthyer më pas në Himarë ku hapën një aktivitet të vogël. “Njerëzit kishin nevoja, shkonin në dyqan e kërkonin “na sill pak kripë, pak piper”. Tregu kishte shumë mungesa dhe prindërit i plotësonin duke sjellë produkte nga Greqia. Kështu ka nisur”, tregon Efi.
Ndërkohë ato qëndruan në Greqi me gjyshen, Efi u regjistrua në shkollë ndërsa Kristina në kopsht. “Ne nuk kemi bërë asnjë vit shkollor në Shqipëri”, thotë Efi një kuriozitet, i cili vetëm kështu mund të zbulohej sepse drejtshkrimi i saj i saktë i shqipes nuk e tregon aspak.
“Kemi qëndruar me gjyshen në Greqi deri në 1998-ën. Atë vit u kthyem në Shqipëri dhe prindërit nga regjistruan në kolegjin italian Galileo Galieli, sot shkolla Ëilson.” Në vitet ’90, të shkoje në një shkollë ku flitej vetëm italisht, duhet të ketë qenë argëtuese për fëmijët që pas kurseve intensive në shtëpi përballë televizorit, e flisnin këtë gjuhë me një rrjedhshmëri të shpenguar që ka habitur, më pas, çdo italian që ka vizituar Shqipërinë. Mirëpo motrat Neranxi vinin nga Greqia. Për to, italishtja ishte thjesht një gjuhë e huaj, shumë e huaj.
“Kur kemi ardhur në Shqipëri fëmijët shqiptarë dinin italisht dhe ne ndiheshim të hutuara, sepse as italisht nuk dinim, po as shqip nuk dinim mirë. Në Greqi flisnim greqisht, me gjyshen greqisht, me babin greqisht. Vetëm me mamin flisnim shqip. Madje dhe mamit ia kthenim greqisht ndonjëherë. Kështu që nuk ka qenë e lehtë”. Do të qëndronin vetëm 1 vit e gjysmë në këtë kolegj. Prindërit, që kishin nisur tashmë të dizenjonin rrugën e tyre seriozisht, i çuan në Firenze, ku ndoqën një kolegj elitar, i cili njihet, siç tregon Efi, si kolegji ku familja Savoia shkollonte vajzat e saj.
Rilindja
Ato tashmë ishin mësuar të qëndronin larg prindërve, në këtë drejtim kjo nuk do të ishte një sfidë. Marrëdhënien e kishin pasur, ashtu si tani, gjithmonë të konsoliduar. Dhe megjithëse nuk ndanin rrobat për shkak të trupave të ndryshëm, sepse Kristina, e vogla, në ato vite, ishte bërë tashmë “motra e gjatë”, ndanin biseda, sekrete, shqetësime të vogla, por dhe rolet, Efi, motra e madhe, protektive, ndërsa Kristina, ajo që, edhe kur ishte larg mamit, e kishte një mami të dytë pranë.
Ndërkohë po mësoheshin me ekzistencën e kulturave të ndryshme, jo në një orë gjeografie apo sociologjie, por në jetën e tyre. Dhe gjithashtu po ushqeheshin me art në vendin ku e ofron këtë me bollëk ashtu si pizza-t dhe pasta-t. Në Italinë që mban rreth 60 për qind të thesareve artistike të gjithë globit, me më shumë vende të ruajtura nga Unesco sesa çdo shtet tjetër dhe në Firenze-n, ku është përqendruar një pjesë e mirë e kësaj pasurie, ato do të zhvillonin një tërheqje të fortë ndaj artit, që do i shoqëronte kudo. “Po të shohësh Divinën në Bllok, duket që është ndryshe nga lokalet e tjera në Tiranë. Tirana është e tërhequr nga stili i pub-eve, nga mjediset e errëta, me shumë dru, ndërsa ne kishim një koncept tjetër, më avantgard, por gjithsesi të frymëzuar nga eleganca e artit italian. Divina është shumë e bardhë, me pasqyra, me materiale të ftohta, madje ishte aq e bardhë në fillim sa na thoshin, “po ju sikur po hapni farmaci” dhe pastaj i kemi shtuar ca ngjyra. Për dizajnin e interierit është kujdesur arkitekti italian Simone Mazzetto i Versace Home, i njohur i arkitektes shqiptare Besiana Sere, por në të gjithë dekorin shprehet ideja jonë.”
Ndërkaq, pasi mbaruan shkollën e mesme në Itali, u kthyen në Shqipëri. Efi tregon që ishte një farë shoku kulturor që për ironi, u ndodhte në vendlindjen e tyre. Ato vinin nga një mjedis i thjeshtë vajzash që shkonin në shkollë me atlete, ndërsa në Shqipëri u gjendën mes bashkëmoshatareve që dilnin në mëngjes nga shtëpia me taka. Gjithsesi ishin mësuar me tronditje të tilla dhe kishin mësuar t’i neturalizonin, aftësi që do u hynte në punë edhe shumë herë të tjera më vonë.

Postmodernizmi
Nisën studimet e larta këtu, por shumë shpejt do t’i vazhdonin në univeristete të huaja. Kristina në Univeristetin e New York-ut në Athinë ku ka përfunduar studimet për Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, kurse Efi në New York, ku është diplomuar për Menaxhim dhe Biznes Ndërkombëtar. “Zgjedhjet e degëve kanë qenë të orientuara nga prindërit. Kristina ka pasur prirje në arkitekturë, unë kisha ëndërr të bëhesha juriste. Që e vogël ndaja njerëzit dhe të gjithë më thoshin “qënke e prerë për avokate ti”. Megjithatë, prindërit këmbëngulën të zgjidhnim degë që të ndihmonim biznesin e familjes. Ne kemi dhe një vëlla, por ai këtë vit mbush 16 vjeç, ndërsa ne atëherë ishim në kohën kur do zgjidhnim profesionin dhe prindërit këmbëngulën që ky profesion të ishte në funksion të biznesit të familjes. Rruga më e sigurt ishte që të ecnim në gjurmët e tyre. Megjithatë, nuk është që shkuam diku ku nuk na pëlqente të shkonim. Ne jemi rritur me këto biseda në familje, që të vogla, gjatë pushimeve verore kemi punuar në dyqane, ndihmonim prindërit… Ata na merrnin me vete si përkthyese në udhëtimet jashtë Shqipërisë, sepse dinin mirë rusisht nga shkolla, apo greqisht, por kishin nevojë për ndihmë në anglisht. Ne flasim katër gjuhë të huaja. Të gjitha këto na ndihmuan edhe ne.” Ato ndoshta nuk ishin lindur për biznes, por ishin rritur për këtë.
Dhe me të mbaruar studimet e larta u kthyen të dyja në Tiranë. “Edhe pse kemi studiuar jashtë, ne kemi qenë gjithmonë pjesë e familjes dhe e biznesit. Kemi pasur shumë kontakte, ktheheshim rregullisht për pushimet e Pashkëve, pushimet verore, për Krishtlindje. Në çdo bisedë që bënim me prindërit, kur ktheheshim, apo dhe në telefon, flisnim për të ardhmen tonë këtu, për kthimin tonë. Ne na janë dhënë raste për t’u punësuar atje, si Krisitnës në Athinë dhe mua në New York, por asnjëherë nuk i morëm seriozisht sepse nuk kishte shumë kuptim të punoje atje për një të ardhme më të mirë, kur këtu e kishim një të ardhme. Gjithashtu do ishte pak fyese për prindërit që pas gjithë atij investimi që kishin bërë, ne të mos ktheheshim. Ne duhej të arsimoheshim, të merrnim më të mirën e kulturës së vendeve ku shkuam dhe të ktheheshim.” Dhe sa për kulturën, ato kanë pasur mundësi ta shijonin si pak studentë të tjerë. Duke mos iu dashur të punonin, ishin të privilegjuara.
Ndërsa Kristina kthehej në Greqi, në një vend që e njihte mirë, Efi do të përballej me New York-un, qytetin magjik. “New York-u më rriti shumë. E kam shijuar jashtëzakonisht atë vend. Studentëve të tjerë u duhej të vraponin në punë pas leksioneve, kurse unë isha e privilegjuar në këtë drejtim. Më kujtohet që shëtisja, lexoja libra, shihja shumë dokumentarë, merresha me sport, volejboll, tenis, nisa të mësoj pak piano…”. Më vonë ajo u bë nënë. Lindi Chloé, vajza që sot është 8 vjeçe dhe që është pjesë e këtyre fotove së bashku me Sugar, mikun e saj më të ri.

Pas disa vitesh do të kthehej sërish në Tiranë, në atë, që ndryshe nga çdo vend, mund ta quante shtëpi, edhe pse Efi tregon që, gjithmonë, i ka pëlqyer ta quajë veten qytetare e botës.
“Shteti që na priste ishte gjithmonë një shtëpi e përkohshme. Ne e dinim që një ditë do ktheheshim. Megjithatë edhe këtu na quanin “gjysmëgreke”, na thoshin sipas kohës, një herë “keni studiuar në Itali”, një herë “keni ardhur nga Amerika”. Na trajtonin sikur nuk i përksinim këtij vendi, por as atje nuk ndiheshim si në vendin tonë. Kjo mund të duket si sfidë, por na ka ndihmuar shumë. Na ka hapur sytë. Kemi qenë më tolerante sesa bashkëmoshatarët tanë.”

Dhe ja ku ishin, në Tiranën e tyre të huaj. Këtë herë për të ngulur fort këmbët, edhe pse do të largoheshin edhe një herë, Kristina drejt Pekinit dhe Efi drejt Amsterdamit për një studime të tjera.
Epoka Divine
“Vendosëm me motrën të hapnim diçka tonën. Thamë “kemi studiuar, tani të provojmë si mund të bëjmë diçka të dyja”. Sigurisht me mbështetjen e prindërve dhe, për këtë arsye, zgjodhëm një pastiçeri që të ishte filial i kompanisë e cila tregton lëndë të para. Ishte viti 2011 kur hapëm Divina-n te liqeni. Donim të krijonim konceptin e pastiçerisë, jo si një dyqan ku i ble ëmbëlsirat dhe i merr me vete, por të një bari kur mund të rrish për t’i shijuar. Për këtë qëllim, vendi është zgjedhur pranë natyrës. Nuk e pamë nga ana komerciale, donim të bënim diçka ndryshe. Ajo zonë, duhet thënë që u bë e njohur prej Divina-s, sepse më parë nuk ishte pjesë e gjallë e Tiranës.”
Sa për emrin, që tani me hapjen e Divina-s në Bllok, jo vetëm si bar-pastiçeri, por edhe si restorant dhe Boutique-Hotel, është kthyer në një markë të njohur në Tiranë, e ka zgjedhur mamaja e Efit dhe Kristinës. “Si i thonë “Nga Zoti”, “Hyjnore” në italisht? “Divino”- i thamë ne. “Jo, në gjininë femërore”. “Divina!”. Aty ngjiti. Na pëlqeu shumë, na dukej femëror, tërheqës”.

Ishte stërmunduese për dy vajza që vinin me kokën të mbushur me konceptet perëndimore të ngritjes së një biznesi të përballeshin me praktikën shqiptare të mbushur me konceptet e mikut dhe rryshfetit. Megjithatë do ia dilnin. Njerëzit shumë shpejt do thoshin “Te Divina” kur takoheshin në hyrje të Parkut të Liqenit, e me shumë gjasa, fjalët e para do i shoqëronin me një shije të re akulloresh.
Ndërkohë Efi, teksa ndiente ende nevojën për t’u formuar nga ana akademike, përmbushi ëndrrën për të studiuar në Fakultetin Juridik, duke kryer një Master për Të Drejtë Tregtare në Komunitetin Evropian, në Tiranë. Ishte koha kur Kristina do të merrte udhëtimin e largët drejt Pekinit.
“Atëherë tendenca ishte dhe mbetet Amerika ose Anglia, por unë kërkoja një vend pak më ndryshe, aq më tepër që Kina është në zhvillim. Ne me ambasadat kemi marrëdhënie shumë të mira dhe gjatë një bisede me ambasadorin e Kinës, më tha që bëhej një testim, nëpërmjet ambasadës, për bursa në një nga shkollat më të mira të Azisë, Tsinghua. Unë e bëra testimin dhe pas 1 jave e gjysmë apo 2 më njoftuan që kisha fituar. M’u duk si një sfidë. Ishte diçka komplet ndryshe dhe meqë motra kishte zënë sektorin perëndimor, thashë “po zë këtë lindorin”. Më ndihmoi shumë bursa e studimit. Ishte një okazion që nuk duhej humbur. Në rangun akademik, kjo shkollë është shumë e njohur. Në një nivel me Harvardin. Sigurisht, ka qenë e vështirë të shkoje aq larg dhe në një vend të panjohur, ku nuk e di çfarë gjen dhe pse një ide e kisha, sepse kishim shkuar për punë dhe njihja disi ushqimin, kulturën. Megjithatë impakti ishte shumë i fuqishëm, e përditshmja, fluksi i njerëzve që shihje në rrugë…Vitin e parë kam qëndruar në kampusin ndërkombëtar të universitetit, ku kishte njerëz nga gjithë globi. Nuk kam parë një qytet aq ndërkombëtar sa Pekini”. E megjithatë një vajzë e gjatë, bionde, bardhoshe bënte sërish përshtypje. Ndonjëherë e pyesnin nëse ishte VIP e ndonjëherë tjetër i kërkonin nëse mund ta përqafonin, sepse ishte shumë e bukur.
“Kjo përvojë më ka shërbyer shumë nga ana akademike, por edhe personale. Më ka ndihmuar të kalis durimin dhe kjo është shumë e rëndësishme në biznes”.

Me t’u kthyer Kristina nga studimet e saj për Administrim Publik dhe Privat, do të largohej Efi për një Master MBA për Sipërmarrje në Amsterdam. Ka qenë një periudhë e vërtetë sakrifice, e para herë kur përvojën akademike nuk do e shoqëronte me kënaqësinë e të eksploruarit të vendeve dhe kulturave sepse kohën e lirë e shfrytëzonte për t’u kthyer në Tiranë ku kishte lënë Chloé-në e vogël. “Chloé-n e kisha lënë me mamin, isha e sigurt, flisnim shpesh megjithatë vija çdo tre javë në Shqipëri, për ta takuar. Studioja 12 orë në ditë dhe masterin dyvjeçar e mbarova për 1 vit. Ai zgjaste 18 muaj si program, ndërsa unë e nisa në shtator dhe e përfundova në gushtin e vitit tjetër, në më pak sesa një vit, ndërsa temën e diplomës e kisha përfunduar që në prill. Kam bërë ndonjë udhëtim të rrallë në Belgjikë kur programi ishte i ngjeshur dhe nuk më dilte koha për të ardhur në Shqipëri, por 99 për qind të fundjavave dhe pushimeve kam ardhur në Shqipëri”, kujton ajo.
Dhe me të kthyer nga Holanda, periudha e studimeve ndaloi, të paktën për ca kohë, dhe ato janë të fokusuara në aktivitetet e biznesit, por edhe te familja. Efi te Chloé, ndërsa Kristina te Gabrieli, djali që ia ka gjetur emrin që pa e lindur e që bashkë me partnerin e saj po e presin me gëzimin që pritet një fëmijë, fryt i dashurisë.

Krahas dy Divina-ve, motrat kanë hapur edhe “Ammos” në Himarë, të cilin duhet t’jua kenë zënë sytë patjetër nëse keni zbritur këto vite në Jug dhe ndërkaq Efi është menaxhere e përgjithshme e kompanisë me një fokus te importi, ndërsa Kristina drejtoreshë e Shitjeve dhe Marketingut në kompaninë Neranxi. Kohët e fundit kanë bërë një rikonceptim të Divina-s në Bllok, i kanë bashkangjitur një Boutique Hotel me 6 suita që mbajnë emra sensualë ëmbëlsirash si Chantilly apo Fondente, si dhe kanë bërë një promovim të dytë për restorantin ku tani punojnë chef-at e njohur, Indriti dhe Alfio. “Pas një viti e gjysmë nga hapja, bëmë një promovim të dytë të Divina-s sepse ishte e njohur vetëm për pastiçerinë dhe donim të theksonim edhe shijen e kripur”.


Janë të përqendruara me kohë të plotë në këtë aktivitet e megjithatë e dinë mirë që ky mbetet vetëm një degë e kompanisë së madhe Neranxi. “Ne sa jemi të reja duam të provojmë veten me aktivitetet tona, por jemi gjithë kohës në mbështetjen dhe pjesë e kompanisë së familjes. Ne e dimë mirë, që këto biznese, pastiçeri, lokale, kanë ciklet e tyre. Moda e lokaleve është me cikle, sot vijnë këtu, pas pesë vjetësh do shkojnë diku tjetër, por kompania nuk ka cikël sepse, me atë sektor, sa të ketë njerëz në tokë, do shesësh produktet. Jemi të fokusuar në fushën e turizmit dhe ushqimit, aq më tepër që kemi një shkollë pastiçerie dhe kulinarie. Jemi për edukimin profesional të stafit, për të qenë një hap para të tjerëve,” thotë Efi. Instituti i kulinarisë, prej vitesh përgatit kuzhinierë, pastiçierë, picierë, prodhues produktesh brumi, baristë etj. duke pasur rreth 450 studentë në vit që trajnohen nga chef-a italianë, grekë, belgë e duke e bërë këtë shkollë një degë të rëndësishme të kompanisë.

Duke qenë e gjithë familja, e angazhuar në biznes, marrëdhëniet e tyre vazhdojnë të jenë të ngushta dhe kontaktet të përditshme. Takohen me prindërit, flasin për punë, por edhe për jetën e tyre, jo vetëm si prind, por edhe si shokë, siç e përshkruan Kristina, “vajza e babit”, marrëdhënien me të atin.
Ndërkaq kanë edhe jetën e tyre private, ku tërhiqen mbrëmjeve apo fundjavave. Kristina është ende në fillimet e këtij stili jete, me bashkëjetesën që ka nisur me partnerin, babain e fëmijës. Ata janë njohur në një mjedis me miq të përbashkët dhe ka qenë “një dashuri me shikim të parë”. Ai ka jetuar gjithashtu për shumë vite jashtë Shqipërisë, ndërsa tani drejton bizneset e veta në Tiranë. Kanë vendosur të martohen në shtator, pasi të lindë bebi, i cili nuk ka qenë pjesë e një plani, por ka qenë absolutisht i pritur me shumë gëzim. “Mendoj që ndihem gati”, thotë Kristina e cila po e përballon në aktivitet këtë shtatzëni. Ajo ndiqet nga një mjek grek, jo për mosbesim ndaj mjekëve shqiptarë, siç saktëson, por sepse mjeku në fjalë është mik i familjes dhe ajo e ka krijuar besimin tashmë dhe me shumë gjasa do ta lindë fëmijën atje, ndërkohë që këtu vazhdon të stërvitet me një personal trainer, rregullisht.

Efi e njeh prej vitesh tashmë jetën prej mamaje. Një nga arsyet, pse ajo mungon nëpër festat apo mbrëmjet e ndryshme të Tiranës, është pikërisht sepse dëshiron që të shkojë në shtëpi për të kaluar kohë me Chloé-n. Vajza shkon në një shkollë amerikane dhe Efi, ashtu si prindërit dikur me të, ka projektuar për të bijën një shkollim jashtë Shqipërisë dhe ndërkaq përpiqet të kalojë sa më shumë kohë me vajzën. “Ajo ka shumë qejf të përgatisë objekte, të krijojë dhe unë e nxis. Para ca kohësh kishte festën e karnavaleve në shkollë dhe e bëmë vetë maskën…Aktualisht po përgatitemi për të hyrë në shtëpinë tonë të re dhe vajza më ndihmon në përzgjedhjen e detajeve, ngjyrave, mobiljeve. Ne udhëtojmë shpesh. Kur jemi në Shqipëri shkojmë nga Jumbo, luajmë në shtëpi, i gatuaj… Nëse i hahen biskota, i bëjmë në shtëpi, nëse i hahen patate të skuqura, sepse dhe ato i hahen, ia skuq vetë. Nuk është që gatuaj shumë, por për vajzën gatuaj. Edhe kur ishim në Amerikë, unë e çoja në kopsht me supën me vete dhe edukatoret habiteshin sepse gjithë fëmijët e tjerë kishin ushqime të gatshme. Chloé nuk ka ngrënë kurrë një ushqim të paketuar dhe as ka pirë një pije të gazuar. Mundohem ta mësoj të ushqehet shëndetshëm”. Megjithatë disa kërkesa të tjera, madje nga ato madhështoret, të çdo fëmije ia ka plotësuar. Chloé ka vizituar Disney Land në Paris dhe DisneyWorld në Orlando për ditëlindjet e saj. “E çojmë në një vend përrallor çdo herë, për atë rast”, tregon Efi, ndërkohë që edhe gjatë verës Chloé udhëton shumë, përgjithësisht në Evropë, ndërsa kalon një pjesë të mirë të pushimeve verore në Himarë, në hotelin e tyre Ammos.

Chloé merr mësime pianoje, flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe gjuhën kineze, ka pamjen që emri i saj të bën të mendosh dhe megjithëse brenda shtëpisë di të jetë dhe ndryshe, me të panjohurit, nuk sillet aspak si një vajzë e përkëdhelur…
Në familjen e tyre nuk e kanë sindromën e divave.
