Lajmi që Ilda Bejleri do të largohet nga SuperSporti për t’u marrë me një program tjetër ka bërë xhiron e mediave dy ditët e fundit. Fillimisht, gazeta “Paloma” ka shkruar këtë fundjavë se moderatorja e njohur e SuperSportit, pas eksperiencës së vjetshme në “Dance with me”, ku ishte konkurrente, ka vendosur të provojë veten në një zhanër tjetër që nuk ka lidhje me sportin, si prezantuese. Mësohet se Ildës i është besuar drejtimi i një programi të ri në “Digitalb”, i cili do të jetë një program argëtues, që do të vërë përballë personazhe të njohur në lojëra të ndryshme fizike. Programi do të nisë së shpejti, por ndërkohë Ilda nuk do të shkëputet nga sporti, pasioni i saj i përhershëm.

Megjithatë, lajmi ka marrë përmasa të tjera në disa prej portaleve online, të cilat kanë shkruar se imazhi i Digitalb-it braktis SuperSportin. Nisur nga këto shkrime, Ilda ka postuar një status në profilin e saj në Instagram, ku poston edhe një foto nga disa media, të cilat shkruajnë: “Ilda Bejleri braktis SuperSport-in…” Duke mohuar lajmin, Ilda shkruan: “Nuk është e vërtetë. SuperSport & Digitalb janë 1” duke hedhur poshtë të gjitha hamendësimet për largimin e saj nga SuperSport apo Digitalb.