“Akoma jo”, balada e saj e ndjerë i ka dhënë triumfin për të dytën herë me radhë këngëtares Aurela Gaçe. U duk si një luftë e ashpër mes tri pretendenteve të fuqishme: Aurela Gaçe, Juliana Pasha dhe Albërie Hadërgjonaj. Në fazën e parë, Juliana dhe Aurela ishin me të njëjtat pikë (326 pikë). Në fazën e dytë, Juliana Pasha kryeson me një pikë diferencë (646) me Aurela Gaçen (645) dhe në fazën e fundit, Aurela triumfon duke u shpallur kështu për të dytën herë radhazi fituese e edicionit të 17-të të Këngës Magjike.

Në vend të dytë me vetëm një pikë diferencë nga vendi i tretë, është renditur Endri Prifti me baladën “Kënga e fundit”, që ia ka kushtuar Marinës, bashkëshortes së të vëllait, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Dhe vendi i tretë, çmimi që nuk e kishte provuar më parë, shkoi për Juliana Pashën me këngën “Vullkan.”

"Tani më vjen turp" - ka thënë Aurela pasi mori çmimin: "Nuk e mendoja se do fitoja. Tani nuk vij më në festival" - tha ajo me shaka, pasi ka falënderuar përzemërsisht të gjithë kolegët që e kanë vlerësuar dhe "që vetë ia dhanë trofeun."
