Fillon sonte në Tv Klan programi më i ri investigativ “Stop”, i cili ka protagonistë dyshen simpatike Saimir Kodra dhe Gentjan Zenelaj. Lajmi i bërë publik prej pak javësh, sonte do të nisë aventurën për të prezantuar para publikut scoop-et e para. Në qendër të emisionit, siç kanë deklaruar dy moderatorët, do të jenë të gjitha fenomenet shqetësuese të shoqërisë, të prezantuara me sarkazëm. Po ashtu, investigimet dhe kamerat e fshehta për të zbuluar të vërtetat e pastra në sytë e publikut do të jenë një armë e fortë e “Stop”-it.

Bashkë me Saimirin dhe Gentin, në studio do të jenë edhe dy velina, të cilat do t’i japin më shumë freski programit. Balerinat, pjesë e trupës së baletit “Albi Nako Dance”, Alba Hoxha dhe Ensi Llaci, do të shoqërojnë çdo mbrëmje Saimirin dhe Gentin me pjesë të zgjedhura koreografike.
Studion gjigante të “Stop”-it, së bashku me komponentët e tjerë të programit, dy moderatorët do t’i zbulojnë vetëm sonte në mbrëmje, në orën 20.05 në Tv Klan.