Këngëtarja e njohur Besa Kokëdhima, sapo ka publikuar këngën dhe klipin e saj më të ri “Kameleon”, një bashkëpunim me Flori Mumajesin dhe studion “ThreeDots.” Edhe pse kënga ka vetëm disa orë që ka dalë në YouTube, pritshmëritë e këngëtares duken pozitive.

Në një intervistë për emisionin ExpressRozë, Besa ka rrëfyer për projektet e saj të fundit, për ato që ka në plan, por edhe disa detaje për jetën personale, të cilën ka preferuar ta mbajë gjithmonë larg vëmendjes mediatike, ashtu si të gjithë artistët që tentojnë të kenë një pjesë për vete. Megjithatë, për këtë nuk i është dashur të luftojë, edhe pse “ju përgjithësisht ia dilni t’i zbuloni gjërat” i drejtohet ajo moderatores së programit: “Nuk është se kam bërë ndonjë përpjekje të jashtëzakonshme për ta fshehur apo për ta izoluar, por thjeshtë kam dashur që ajo të jetë një pjesë e imja. Nuk kam dashur që në atë pjesë jete që ndaj me publikun, të duket ose të përjetohet sikur po shfrytëzohet jeta personale për këtë gjë... Mendoj se kam mjaftueshmërisht për të thënë, ashtu si edhe partneri im në jetën e tij”, – thotë Besa duke shtuar: “Më pëlqen që kjo pjesë të mbetet për mua, sepse publikun e kemi shumë afër në gjithçka tjetër.”
Më tej, ajo shton se mediatikisht është ndier e respektuar në atë privatësi që ka zgjedhur ta ketë për vete: “Nuk më kanë shfrytëzuar për këtë pjesë. Kam përshtypjen që edhe gazetarët e lexojnë një lloj tendence edhe tek personazhet. Kur shikojnë tendencën që parapëlqejnë që kjo pjesë të ekspozohet, nxiten dhe tentojnë më shumë... Në jetën time unë nuk e kam mbajtur të fshehur që kam qenë dhe jam me një person. Jam mirë dhe kaq dhe nuk jam shqetësuar në këtë aspekt...” – thotë ajo.