Pesëmbëdhjetë vjet nuk janë pak. Nuk është çudi që stafet të marrin tjetër konfigurim me disa njerëz që nisin një punë të re, disa të rinj që vijnë e disa të tjerë që qëndrojnë. Këtë gjë të kujton edhe një foto e postuar në Instagram në fillim nga Dori Dj e më pas dhe nga Arbana Osmani, me stafin e Top Albania Radios, 15 vjet më parë.

Në një kohë kur në Top media po ndodhin ndryshime të mëdha, e ke të vështirë ta zhveshësh këtë foto nga domethëniet e heshtura. Aty mund të shohësh njerëz si Arbana Osmani, Doktori, apo Dori Dj., që janë ende pjesë e stafit të Top-it, por jo kushdo ka pozitat e një personazhi me vlerë të veçantë, për hir të kësaj përvoje: aktualisht Arbana Osmani nuk ka asnjë emison në Top Channel dhe nuk dihet kur do të ketë një të ri, përderisa programet që prezantonte ajo nuk do të vijojnë, të paktën në këtë sezon.

Dallojmë edhe një nga zërat e parë të radios, Gerta Hetën, e cila ka komentuar në foto, por edhe Sajmir Kodrën, të dy të larguar në destinacione të tjera. Nuk ka munguar me komente as Ledion Liço, i cili në atë kohë nuk ishte pjesë e Top-it.

Top Albania Radio, që për pak ditë mbush 18 vjet nga krijimi, ngelet radioja që bëri revolucionin në mediat auditive në Shqipëri dhe pjesë e historisë u bënë, dashur pa dashur, edhe njerëzit që u dëgjuan për herë të parë në të, me programet shumë të ndjekura si “Një këngë për ty”, “Disco lancio”, “Radio Mania”.

Por tani janë kohë të tjera, ato të vjetrat kanë ngelur pjesë e kujtimeve, si kjo foto.