Nuk mbahet mend sa e gjatë është marrëdhënia e saj me televizionin, e cila fillimet e veta i ka pasur me Televizionin Shqiptar, ama ajo që dihet nga të gjithë është fakti që gazetarja Eni Vasili është një nga figurat femërore më të admiruara të ekranit, sot për sot. Në një intervistë ekskluzive për revistën “Psikologjia”, Eni ka rrëfyer një profil tjetër të vetes - dëshirën, përkushtimin dhe pasionin për profesionin, por edhe dëshirën për të qenë larg protagonizmit personal. Duket si një marrëdhënie kontradiktore, në fakt, por nuk është aspak e tillë. Të paktën, jo për aq kohë sa Eni, të qenit e rezervuar e ka pjesë të karakterit. Kështu ndihet të paktën, jashtë televizionit dhe këtë nuk do që ta ndryshojë, sepse ajo nuk ka asnjë marrëdhënie me famën.

“Sdudio e hapur” në televizionin “News 24” është një ndër emisionet, i cili ka një audiencë të lartë, por për Eni Vasilin, gazetaria në Shqipëri nuk është në nivelet e duhura: “Gazetaria në Shqipëri është pjesë e kontekstit ku jetojmë dhe s’mund ta idealizojmë e as ta nëpërkëmbim. Është një botë plot me probleme, ashtu si vetë shoqëria shqiptare. Të qenit të hapur është sa një përpjekje realiste, po aq edhe arritje utopike. Në këtë gjë, nuk ka vlera absolute”,- thotë ajo.
Sa i përket jetës përtej ekranit, Eni ndihet si të gjithë, duke harruar që është person publik dhe se njerëzit mund ta njohin: “Jeta jashtë profesionit është si e çdo vajze që u gëzohet dhuratave që fati i ka bërë. Unë harroj shpesh që jam person publik dhe faktin që më njohin të gjithë…”

Sa për marrëdhënien me dashurinë, mes atmosferës së Shën Valentinit, Eni tregon: “Disa muaj më parë, në shtëpinë e Helena dhe Ismail Kadaresë, së bashku me të ftuar të tjerë, ndërsa drekonim me gatimet e mrekullueshme të një zonje si Helena, më bënë të njëjtën pyetje. Pas shpjegimeve të mia të stilit shpërvjedhës, Ismaili më thotë: “Ti çoç ke pritur nga dashuria. Në kokën tënde librat kanë ndërtuar për dashurinë, ndoshta që në vogëli, pritshmëri që nuk i takojnë realitetit”. Iu përgjigja se kjo ishte e keqja më e vogël. Më e madhja është që vazhdoj të besoj akoma njësoj”. Dhe dashurinë, në të vërtetë, ajo e sheh si diçka “… të fuqishme sa të shembë çdo burrë”, sipas vargut të Lasgush Poradecit.
Parë nga ekrani, Eni Vasili është nga ato figurat femërore, e cila përpiqet të tregojë se përballja me kauza të forta dhe me po aq emocione në në të njëjtën kohë, është një sfidë e vazhdueshme. Megjithatë, ajo mendon se “…shpesh, ndërtueset më të zellshme të murit më të lartë të maskilizmit në Shqipëri janë vetë femrat. Ekziston një lloj konkurrence e heshtur, një lloj gare zilish e smirash që i largon nga një solidaritet i domosdoshëm mes tyre, që do t’ua bënte botën më të mirë dhe jetën më të lehtë”.