Fenomeni botëror “Fifty Shades of Grey” nuk ka lënë fushë të jetës pa prekur. Pritshmëritë kanë qenë të gjitha llojeve dhe mënyrave. Fabula dhe sidomos skenat seksuale të filmit, madje kanë vënë në lëvizje edhe mjaft organizata dhe shoqata të mbrojtjes së të drejtave të femrave të dhunuara që bëjnë thirrje për bojkotimin e këtij filmi. Megjithatë, filmi vazhdon të shfaqet në të gjitha kinematë botërore duke shënuar shifra rekord të ardhurash.

Pjesë e reagimeve pozitive dhe negative të filmit janë bërë edhe një pjesë e mirë e personazheve të njohura shqiptare, të cilët nuk kanë nguruar ta thonë hapur mendimin e tyre për filmin, skenat erotike, por edhe më shumë. Ja ku janë disa nga personazhet e njohur, të cilët filmin

Arian Çani: Unë i kam thyer tabutë seksuale para Grey-t

Prezantuesi i njohur Arjan Çani nuk e ka parë ende filmin, madje as librin nuk e ka lexuar, por nga çka dëgjuar rreth e rrotull, e ka një koment para se të shkojë në kinema (nëse do të shkojë, sepse as filmi nuk i intereson). Në një prononcim për “Bluetooth”, moderatori i “Zonë e Lirë” thotë: “Tabutë seksuale i kam thyer unë i pari në këtë vend. Prej 11-vjetësh në Shqipëri, e kam bërë këtë gjë me shqiptarët. Ky film vjen me shumë vonesë këtu te ne dhe si rrjedhojë nuk më intereson.

Marina Vjollca: Seksi shet

Prezantuesja bukuroshe e Top Channel, Marina Vjollca, po ashtu nuk e ka parë filmin, por e di se për çfarë bëhet fjalë: “Është përfolur shumë për filmin, saqë jam bërë kureshtare. E di që bëhet fjalë për një film që ka skena seksi, por dihet tashmë që seksi shet. Duke qenë se është një produksion komercial, e ka arritur qëllimin e tij. Shpresoj të gjej kohën ta shoh për të kuptuar dhe njohur të famshmin zotin Grey, si dhe fenomenin që solli në Shqipëri”, - është shprehur Marina në një prononcim për “Bluetooth”.

 

Ronela Hajati: Dua një burrë si Christian Grey

Nga ana tjetër, këngëtarja Ronela Hajati, jo vetëm që e ka parë, por është mahnitur nga filmi që po mban peshë të gjitha kinematë e botës: “E kam lexuar edhe librin, pashë edhe filmin. Dola në përfundimin se dua një burrë si Christian Grey. Është perfekt, nga fillimi në fund. Jam plotësisht dakord me të gjitha ato që bëri, natyrisht pa atë pjesën e fundit të filmit. Do të isha e lumtur nëse do të gjeja një burrë si ai. Është ideali për çdo femër”,- ka thënë Ronela për Bluetooth”. Ndërsa sa i përket ekzagjerimeve me skenat seksuale, ajo thotë se nuk i janë dukur aspak të tilla, madje shton: “Ta siguroj që shqiptarët bëjnë më shumë se aq sa kemi parë në film”.

Kastro Zizo: Nuk kam pikën e interesit për atë palaçollëk

Duket një deklaratë e çuditshme kur bëhet fjalë për Kastro Zizon dhe natyrën e tij, por është kështu. Kastro mendon se është një libër dhe film i pavlerë, kështu që as nuk ka ndërmend ta vazhdojë më gjatë: “Pikën e interesit nuk e kam për atë palaçollëk pseudovepër arti, libër apo film qoftë”, - e mbyll komentin e tij për “Bluetooth” Kastro.

 

Turjan Hyska: Nuk kishte aq shumë seks

Edhe moderatori i njohur i Vizion Plus-it është në grupin e personazheve që nuk e kanë pëlqyer filmin: “E pashë dhe më vjen keq që nuk ishte ashtu siç e kishin përshkruar. Nuk kishte edhe aq shumë seks sa flitej. Ka filma të tjerë që kanë skena më të forta seksi se aq, “Basic Instict” për shembull ka më shumë. E vetmja gjë që më pëlqeu ishte kolona zanore. Pjesa tjetër ishte shumë zhurmë për asgjë”, - ka thënë Turi për “Bluetooth”.

 

Armina Mevlani: “50 hijet e Grey-t”, humbje kohe

Edhe bukuroshja Armina Mevlani ka deklaruar më herët në profilin e saj se nuk ka asnjë interes të lexojë një libër të tillë, i cili, sipas saj, është komercial dhe i pavlerë: “Nuk kam marrë asnjëherë në fakt mundimin të lexoj “50 hijet e Grey-t”. Më është dukur tepër komercial dhe shumë i trashë për të humbur kohe me të. Ndoshta më mirë një roman klasik dashurie (nga ata të vjetrit madje) ose ndonjë film të Kubrick, tip “Eyes Wide Shut” në vend të këtij filmi!” iu është drejtuar miqve të saj Armina Mevlani.