Pasi e kanë parë tek sfilonte në skenën e vajzave të bukura nga e gjithë bota në “Miss Exclusive of the World”, Xhensila ka rënë në sy të producentëve turq, të cilët i kanë propozuar direkt pas spektaklit një rol në serialet turke. Në këtë garë të fituar nga përfaqësuesja e Danimarkës, Xhensila arriti të kualifikohet në 15 konkurrentet më të bukura. Sipas gazetës “Panorama”, kjo ka bërë që bukuroshja shqiptare të bjerë në sy të producentëve, të cilët i ndjekin këto evente për të pikasur ndonjë imazh të ri e të pakonsumuar për telenovelat turke. Dihet që kinemaja turke, prej vitesh është ndër më të suksesshmet, aq sa filmat e tyre janë blerë nga televizionet më të fuqishme të vendeve të Europës. Por, nëse do ta ketë edhe Xhensila këtë fat, mbetet për t’u parë në të ardhmen, ndërkohë që Xhensila ka shtyrë rikthimin për në Shqipëri, pasi është duke diskutuar kontratën. Nëse ajo bie dakord për të nisur një jetë të re si aktore në Turqi, atëherë do të ketë fatin e Nik Xhelilajt dhe Almeda Abazit, të cilët jo vetëm kanë depërtuar në kinemanë turke, por janë ndër më të preferuarit e momentit atje.

Fatjoni: Nuk e ndaloj të bëjë aktoren, mund të zhvendosem dhe unë për të qenë pranë saj
Edhe pse kjo është distanca e tyre e parë, ata me padurim po presin të ritakohen në Tiranë. Xhensila kishte planifikuar të rikthehej direkt pas finales së spektaklit të bukurisë, por oferta për të qenë aktore në një produksion të ri, e ka bërë që ta shtyjë rikthimin në Tiranë duke e lënë për një datë të pacaktuar. I pyetur nga “Panorama” se si po shkon lidhja e tyre tani që janë larg, ai përgjigjet: “Gjithçka po shkon mirë në distancë, edhe pse Xhensila ende nuk është kthyer në Tiranë, pasi është duke diskutuar një ofertë, që i është bërë për të luajtur në një serial të ri atje.”
Po çfarë do të ndodhë me lidhjen, nëse ajo vendos të jetojë në Turqi?
“Nuk mund të flas për diçka që është ende në ajër. Në momentin që do të vendosem përballë faktit që ajo duhet të nisë karrierë si aktore në Turqi, atëherë mund të them më saktë për lidhjen tonë. Si fillim do të flas me Xhensilën se si do të vazhdojë raporti ynë. Ka shumë mundësi zgjidhjeje, ndoshta shpërngulem dhe unë atje për të qenë pranë saj”. Deri atëherë, plani i tij i parë për Xhensilën mbetet surpriza që ka përgatitur për rikthimin. “Kam menduar të dekoroj një ambient në plazh që e kam timin, dhe që do e mbuloj me trëndafila. Këtë do ia lë në dorë një studioje dekoresh, por gjithmonë varet nga data e kthimit të Xhensilës”,- u shpreh Fatjoni.
