Një program i ri, realizim i RTSH me autore Elda Koçin, Kopertina, ka pasur të ftuar në pjesën e parë Floriana Garon. Një bisedë 30 minutëshe me realizuesen dhe prezantuesen e programit “Jo vetëm modë” ka risjellë fillimin e karrierës së saj dhe rrugën deri në këtë etapë.

Vajza e lindur në Durrës, nga është larguar në moshën 15 vjeçare për të studiuar për 8 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç është thënë edhe më parë ka qenë volejbolliste profesioniste, në fillim me skuadrën e “Teutës” dhe më pas me ekipet universitare në SHBA, ku edhe ka fituar kupa dhe tituj. Megjithatë pas tetë vitesh për vajzën e diplomuar për Diplomaci, do të niste një fazë tjetër, ajo e Tiranës. U kthye dhe realizoi më lehtë seç e kishte menduar ëndrrën e televizionit.

Ndoshta shumë e kanë harruar, por shfaqja e saj e parë ka qenë në një reklamë televizive të Eagle Mobile dhe më pas, u pëlqye dhe u zgjodh për të prezantuar një lotari kombëtare live në TV Klan. Që aty, kaloi në studion e prezantimit të parashikimit të motit derisa nisi programin “Jo vetëm modë”, gjtihmonë në TV Klan.

Në këtë intervistë, Floriana rrëfen pasionin e saj për modën, veshjet cilësore, aksesorët duke u ndalur edhe në përvojat që e kanë afruar më shumë me të, pjesëmarrjen në Miss Globe dhe në disa spote publicitare.

Gjithashtu ajo ka zbuluar edhe një anë tjetër, pak të njohur nga jeta private, dashurinë për nipin, Lukasin dy vjeç që e ka quajtur pika e saj e dobët.

Nuk është thënë asnjë fjalë gjatë intervistës, për marrëdhënien me Tedi Ngjelën, por Floriana ka treguar që e mendon veten edhe në një fazë të re. “E mendoj veten nënë”, ka thënë ajo duke shprehur një dëshirë për të ardhmen përtej profesionit.