E vetmja anëtare femër e “Dance With Me”, Valbona Selimllari nuk e ka gjithmonë të thjeshtë të jetë indiferente përballë replikave apo debateve që lindin gjatë spektaklit mes artistëve pjesëmarrës dhe jurisë, me gjithë qetësinë dhe ndjeshmërinë që e karakterizon. Në një rrëfim për “Bluetooth”, Bobi, ashtu siç e njohin të gjithë, thotë se “për respekt të publikut, duhet të mbyllim një vesh e një sy”, por kjo nuk mund të ndodhë gjithmonë, sepse DWM ka qëllim krejt tjetër:

“Dance With Me” nuk është krijuar për të bërë debate, por që njerëzit gjatë atyre orëve që janë para ekranit të kënaqen dhe të qeshin, të shikojnë skena të bukura, njerëz të bukur dhe performanca të bukura. Nuk kanë nevojë të dëgjojnë debate, pasi debatet i kanë në lajme dhe në opinion dhe janë të mbushur me këto. Debati tek spektakli ynë nuk ka vend”,- tregon Valbona. E ulur në panelin e jurisë, pozicioni i saj i sjell edhe një lloj komoditeti në gjykimin e artistëve: “Ka një komoditet shumë të madh, që nuk na duhet të gjykojmë dhe vlerësojmë profesionistë. Asnjë nga konkurrentët nuk është balerin dhe kjo e bën edhe më të thjeshtë, ndjehesh më e lirë, sepse ke hapësira të manovrosh. Nëse do të gjykonim profesionistë të vërtetë, ndoshta do ishim më striktë. Në rastin konkret, “Dance With Me” ka të bëjë me atmosferën që përcjellim, pra qëllimi është vetëm argëtimi. Nëse do të konkurronin balerinë, unë nuk do të isha në atë juri dhe prandaj nuk ka as eliminime. Aty gjithçka varet nga emocioni që përçojnë tek ne...”

Ndërsa gjykimet e dy anëtarëve të tjerë të jurisë, ajo i konsideron në funksion të show-t: “Përveç nesh, edhe Albi nuk mund t’i gjykojë si balerinë dhe nuk mund të jetë strikt. Edhe Berti nuk mund të jetë aq agresiv. Të gjithë përkthejmë ndjesitë që na jep çifti, gjuhën e tyre, që në koreografi do të përkthehej ndryshe dhe unë nuk duhet të isha në atë panel. Artistët shquhen si qenie egoiste dhe krenare...”, – thotë Valbona, megjithatë “gjykojmë thjeshtë, sepse i tillë është spektakli. Pretendojmë kërcim nga ata që mund të japin në këtë drejtim dhe pretendojmë emocion dhe vlerë nga ata që nuk mund të japin kërcim. Ata janë artistë dhe skenën e njohin. Një artist na jep emocion edhe duke bërë vetëm mimika dhe tre lëvizje që shprehin diçka. Kjo është fuqia e artistëve, që arrijnë të shprehin diçka...”
I gjithë ky angazhim kohe, përveç punës së përditshme në biznes, duket se ka edhe një kosto tek fëmijët e Valbonës, por një nënë e përkushtuar si ajo, di ta menaxhojë mjaft mirë gjithçka bën: “Meqë nuk jam pjesë e kërcimit, nuk humb shumë kohë me “Dance With Me”. Impenjimi im nuk është gjatë javës. Normalisht, është fundjava më e zënë, që janë provat, e më pas spektakli. Jam munduar ta menaxhoj situatën. Për fatin tim të mirë, kam edhe ndihmë nga familja dhe është gjithçka në rregull deri tani.” Por edhe kohën e munguar me fëmijët, e shlyen “me dashuri. Sa vij, i përqafoj fort dhe më pas dua që ta kaloj të gjithë kohën me ata. Kur vij në shtëpi, nuk dua të bëj asgjë tjetër, por të merrem vetëm me fëmijët.” Ndryshe nga sa mund të mendohej, me gjithë punën në biznes dhe angazhimet artistike përgjatë këtyre viteve, Valbona tregon se nuk ka ndodhur asnjëherë të mos jetë e pranishme në ndonjë event apo moment të rëndësishëm në jetën e fëmijëve të saj, sepse për ta do të linte gjithçka: “Nuk kam munguar në asnjë nga shfaqjet e rëndësishme të fëmijëve, i lë të gjitha për ata.”
