Mbrëmë, në Vizion Plus, u transmetua intervista e Rudina Xhungës me gruan e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, e cila është botuar edhe në faqen dritare.net. E veja e diktatorit rrëfen për jetën në intervistën e fundit të saj, të lamtumirës. Debati rreth kësaj interviste ka nisur prej ditësh dhe vazhdon edhe sot, pas transmetimit të saj. Një intervistë e butë, me një paanësi që përballë një figure aq të kompromentuar, duket si respekt, ka nxjerrë të dhëna për jetën e Nexhmije Hoxhës.
Mungon një kërkesë falje. Përveç një rasti kur ajo pranon që nuk flet për vitet e burgut, sepse “burg kanë bërë edhe të tjerët dhe unë nuk dua të prek ata që janë burgosur në kohën tonë, nga ne”. Rudina Xhunga, e kritikuar për këtë intervistë pa akuza, ka thënë që nuk janë gazetarët që duhet të bëjnë gjyqet politike. Po kush atëherë? Nexhmije Hoxha është 95 vjeç, prej 25 vjetësh ka rënë regjimi ku ajo ishte njeriu më i afërt i njeriut kryesor të tij dhe pas disa vitesh burg “për kafen”, ajo jeton e bindur, që Enver Hoxha ishte një njeri i mirë, që vendimet e ekzekutimeve i merrte për hir të detyrës, por nga ana tjetër përmend që ky njeri “I ndjeshëm” i merrte me vendosmëri vendimet dhe nuk kthehej pas. Asnjë pyetje tjetër pas kësaj deklarate. Frazat mbyllen me “ndjeshmërinë” e Enverit. Sipas saj shumë vendim të asaj kohe, Enver Hoxha nuk i merrte i vetëm, por i ndikuar nga masat dhe propozimet nga poshtë. Dhe një shprehje franceze për t’i vënë një kapak neutral e gati të pastër, pjesës më të errët të historisë shqiptare. Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot. Kjo intervistë, që mori gjithë vëmendjen që mund të dëshirojë një personazh i jetës publike sot, aq më pak. Sa për rolin e saj, Nexhmija hedh poshtë që të ketë marrë vendime gjatë viteve të sëmundjes së diktatorit.
Ja disa fragmente nga intervista
Për fenë dhe besimin
Kur u diskutua për fenë, për faktin që Shqipëria do të ishte vend ateist, kishat dhe xhamitë u prishën, ka qenë një vendim personal i Enver Hoxhës? Fliste me ju në darkë për vendime të rëndësishme për Shqipërinë?
Për këtë është folur kur ndodhi, as unë as ai nuk dinim që një gjë e tillë po ndodhte. Ne e kemi thënë dhe kjo është e vërteta, që iniciativa u mor nga poshtë. Natyrisht Sekretari i Partisë së Durrësit, nuk është se nuk e dinte, ndoshta dhe me shkollën Naim Frashëri që mori iniciativën, kishte rënë dakord, se këto gjëra bëheshin edhe në Kinë, që nuk ishte e lejuar një gjë e tillë. Mirëpo një anë tjetër e Enverit ishte se shumë gjëra që merreshin iniciativë nga baza, si për rastin e kooperativave, që propozuan të kthehej nga kooperativë në ndërmarrje, ai e zgjaste shumë që ata të bindeshin vetë dalëngadalë që të mos e bënin.
Pasi kishin filluar me fenë, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit Ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vet në ekstrem. Megjithatë disa ambiente nuk u prishën, por u transferuan në ambiente kulturore. Urdhri që dha Enveri, që të mblidheshin të gjitha ikonat, dha mundësinë e krijimit të Muzeut të Ikonave në Korçë. Kur shkuam një herë në Korçë, ishte një kishë që nuk ishte prishur, por ishte bërë muze, megjithatë, që të mos dukej nga jashtë që ishte kishë, e kishin bërë me mure. Enveri i kritikoi ata. Nga ana tjetër unë nuk jam fare besimtare, jam një ateiste, darviniste, duke filluar nga shkenca e Darvinit, që në rininë time të hershme, por nga ana tjetër kam qenë dhe jam tolerante në këtë drejtim. Tezja ime vinte në shtëpi, rrinte te nëna ime e cila rrinte me mua. Ajo falej 5 herë në ditë, se i kishte ruajtur zakonet dibrane, në diferencë nga nëna që i kishte lënë fare këto gjëra. I thoshte:- “Po u fale, më mirë rri në shtëpi”, ose “Po mbajte Ramazan, mos hajde fare”. Unë e dija që njerëzit besonin. Enveri nuk afrohej me paragjykimet, por ditën e Verës do ua bënte fëmijëve vet, i gjeja mëndafshet e kuq dhe të bardhë dhe ua vinte fëmijëve vet, e ca rite të tjera të Ditës së Verës.
Në fakt, Enver Hoxha nuk besonte?
Jo, nuk besonte, por i respektonte këto adetet.
Për vendimet, dënimet, internimet
Me mënyrën se si ai vendoste, çfarë njeriu, çfarë karakteri kishte, ishte një njeri që e vendoste dhe nuk kthehej pas apo i rishikonte vendimet e veta?
E para, nuk vendoste vet, kjo duhet të kuptohet se në kohën e Partisë tonë, vendimet merreshin kolegjialisht. Natyrisht ai e propozonte, pastaj vinte Këshilli i Ministrit sillte propozimin, vendoseshin hollësitë, kishte shumë gjëra plani. Nuk vendoste vetëm Enveri, por edhe për çështje të mëdha, strategjike vendimet merreshin në mënyrë kolegjiale. Enveri reflektonte shumë para se të merreshin vendimet, jo vetëm konsultohej me shokët, por unë nuk kam pse ta mohoj se bisedonte me mua. Unë isha një shoqe e vjetër lufte, me përvojë politike, kështu që i bisedonim këto çështje të politikës së jashtme, të vendit. Për mua ishin tubu, që e kisha kuptuar që nuk më përkisnin dhe që Enveri nuk i zinte me gojë, kanë qenë çështjet e Këshillit të Mbrojtjes, jo të ushtrisë në përgjithësi, por të operacioneve, të planeve, të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Sigurimit. Gjithë politika e jashtme, ndërkombëtar lidhur me Shqipërinë, ato diskutoheshin e lexoheshin dy herë në ditë, lajmet e agjencisë telegrafike.
Nuk flisnit për sigurimin e shteti, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin?
Jo, janë vetëm legjenda që janë krijuar. Enveri ishte Sekretar Partie në Presidium, nuk them se nuk ishte në dijeni për disa gjëra që bëheshin, por për mua janë shpifje, legjenda. Baza te ne ka qenë më konservatore, se ky kuadri që drejtonte vinte nga fshati, vinte nga lufta dhe niveli kulturor ishte i tillë. Më shumë stigmatizoheshin nga sektarizmi dhe konservatorizmi. Enveri jo. Unë e përmend gjithmonë një shprehje, “C’est la raison d’Etat, que même la raison ne comprend pas”, “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim. Ai edhe me mua bisedonte për vendimet, por kishte raste që në moment e merrte vendimin. Këtë i vlerësonin shokët, se ata nuk ishin në gjendje, nuk kishin besim në vete. Pastaj ai e dinte detyrën dhe nuk ka gabuar kurrë me vendimet, në asnjë, qoftë edhe më të mëdhatë, qoftë me Hrushovin, qoftë me anijet, me nëndetëset.
Për rolin e saj në vitet e fundit të udhëheqjes së diktatorit
Cili ka qenë roli juaj në 10 vitet e sëmura të Enver Hoxhës, duke pasur parasysh një diabet 45 vjeçar dhe faktin se flitet shumë që ishit ju që keni udhëhequr kur Enver Hoxha ka qenë i sëmurë?
Lidhur me rolin tim pranë Enverit, është gjithë periudha para sëmundjes, ku mund të them dy fjalë, unë bëja punën time dhe ai bënte të tijën. Nuk kam qenë asnjëherë gjatë kësaj periudhe anëtare e një forumi të lartë partiak ose shtetëror vendimmarrës, por kam qenë gjithmonë në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, në fillim pas Kongresit të Parë të Partisë, si Drejtore për Propagandën, Arsimin, Kulturë, në kulturë nënkuptoj artin dhe shkencat, pastaj kam kaluar si Drejtore e Institutit. Kam bërë atë punë që ka bërë çdo anëtar i Plenumit dhe si deputete gjatë gjithë legjislaturave. Edhe Plenumi merrte vendime, jam përgjegjëse për ato që kam marrë, por janë me qindra, me mijëra që kanë kaluar aty. Kam hedhur poshtë të gjitha spekulimet që unë gjatë sëmundjes kam marrë vendime për shtetin, është absurde dhe kjo gjë nuk është ngritur vetëm nga njerëz dosido, por edhe nga njerëz me kulturë në përgjithësi, deri te Sali Berisha. Në një delegacion që u bë në Gjermani, kur e pyetën për Enverin ata, tha:- “Ai nuk e ka drejtuar pushtetin, se për 15 vjet e ka drejtuar gruaja e tij, Nexhmije Hoxha”. Unë e kam lexuar këtu në shtypin tonë këtë gjë dhe kjo bëhej me qëllim që të diskreditohej Enveri, për të thënë që kishte mbaruar ai. Është absurde.
Ai ka drejtuar deri në fund. Ka dokumente, ka filmime, ka njerëz, ka doktorë. Ka pasur ditë që ai vërtet ishte i sëmurë, në kriza. Ai bënte jetë spitalore, raste më të mëdha edhe në reanimacion, por kjo është tjetër gjë, që bëhej në shtëpi dhe nuk dërgohej në spital sepse ne nuk kishim klinika speciale për këtë gjë, siç bënte Tito që shkonte në Lubjanë ku edhe vdiq. Unë kam bërë një libër për këtë gjë, “Miqësi e tradhtuar” dhe kam treguar sesi e drejtonte si vendin. Unë, përveç rolit si grua, bashkëshorte kam bërë edhe infermieren, kam bërë monitoristen, për ata që ai nuk i donte në dhomë, i jam përkushtim aq sa nuk kam asnjë peng sepse i kam ndenjur mbi kokë me orë të tëra, deri në mëngjes, pa folur fare, me ditë të tëra ku flija nga dy-tre orë, duke i matur frymën, duke i matur pulsin sepse parashikoja krizën. Kishte raste që e zinte gjumi, kishte raste kur afrohej kriza dhe lajmëroja ekipin e mjekëve dhe e merrnin ata në dorëzim. Prandaj, unë bëhesha ndërmjetëse, telefoniste, sekretare, nuk ka pse të mos isha, isha njeriu më afër. Shokët kishin besim te unë, më respektonin, unë kisha besim të ata dhe përherë më drejtoheshin. Kam letrat e Mehmetit, Hysniut, letrat e Ramizit, që e informonin kohë pas kohe dhe kjo ndodhte vetëm kur Enveri ishte në kriza. Kur ishte më mirë shkonte në zyrë ose i thërriste shokët aty dhe unë nuk isha prezent në asnjë çast se çfarë bënte ai me ta. Pra ky ka qenë roli im. Bashkëpunëtore po, pse jo, unë kam qenë shoqe e vjetër dhe gjithë këto shërbime i kam bërë me shume përkushtim.
Dua ta them publikisht për doktorët, mjekët. Ata më konsideronin mua ndihmëse të tyre, bëja parapjesën e tyre, si të thuash. Qoftë ata, bashkë me Enverin, më kishin vënë emrin Bishá, i cili ishte një mjek autodidakt i shquar francez, që sot, spitali më i madh e më i ri i Parisit, mban emrin e tij. Në dy ditët e fundit, ku erdhi goditja fatale dhe atëherë Enveri humbi vetëdijen, ata i qëndruan minutë për minutë, pa fjetur dy ditë me radhë, 9 deri në 11 prill, deri nga ora 2 e natës. Pastaj firmosën aktin e fundit të vdekjes. Me këtë rast unë dua të falënderoj veçanërisht doktorët Ahmet Kamberin, Sabit Brokajn, Fejzi Hoxhën, Isuf Kalon dhe Ylli Popën, që firmosën aktin e fundit. Por kanë qenë edhe shumë doktorë e infermierë që i kanë shërbyer me shumë humanizëm dhe profesionalizëm të lartë.