Ja çfarë kanë shkruar mediat në faqet rozë. 

Elita Rudi: “Express Rozë” ka humbur shumë pas largimit tim

Elita Rudi, një nga moderatoret më të pëlqyera të ekranit u bë e njohur me prezantimin e emisionit “Express Rozë”, që transmetohet në Klan Kosova. Por Elita, për herë të parë tregon për "Paloma", se pas largimit të saj, programi ka humbur shumë shikueshmëri: “Largimi nga "Expres Rozë" ishte një keqkuptim mes meje dhe producentëve të emisionit, në këtë rast Gazetën Expres. Por mendoj se ata janë humbës, jo unë. Fansat e ndjejnë mungesën time, moderimin tim. Humbja e tyre shihet edhe në humbjen e teleshikuesve që ka pasur "Expres Rozë" pas largimit tim, pavarësisht se tani emisioni ka një shtrirje më të gjerë të transmetimit sesa gjatë kohës që isha unë. Nuk është etike, besoj edhe për një producent, që pas një keqkuptimi, të mundohesh ta njollosësh një prezantuese, siç kanë bërë ata. Largimi nga atje më bëri edhe më të fortë. Por edhe e falënderoj “Express”-in dhe sidomos djemtë dhe vajzat me të cilët kam punuar dhe që bëjnë një punë të palodhshme; kam vetëm fjalë të mira për ta dhe për përvojën e mirë që kam marrë, një përvojë që ma dhanë pa kushte dhe që tani më hyn në punë.”

Afrona vs Teauta, në “garë” për vëmendje?

Ish­-gruaja e Bleros, Teuta Krasniqi, ka qenë ndër femrat më të komentuara për skenat nudo në filmin e Gjergj Xhuvanit, “Engjëjt janë larg”. Përveç karrierës si prezantuese dhe aktore, Teuta është komentuar dhe për martesën sekrete me instruktorin e palestrës, Adionis Morina. Nga ana e tij, Blero vazhdon të jetë i dashuruar me modelen e rritur në Zvicër, Afrona Dika. Duket mes dy palëve ka nisur një garë, se kush e kush të jetë çifti më i lumtur. Po si ndihet Afrona, një vajzë e re dhe e bukur që synon famën e madhe, për suksesin e ish-­gruas së të dashurit të saj, me të cilën ai ka dhe një fëmijë?

E pyetur nga gazeta “Panorama” se si e përjeton të shkuarën e tij dhe faktin që ish-­gruaja e Bleros ka qenë një femër e pëlqyer në Kosovë si Teuta Krasniqi, ajo shprehet: “Asnjë ndjesi negative. Unë vlerësoj njeriun, jo të shkuarën e tij. Ka qenë i lidhur me dikë tjetër dhe për këtë njerëzit nuk duhet të jenë të penalizuar. Jam person me mendje të hapur dhe e dashuruar me Bleron”. Për sa u përket planeve si çift, ajo tregon: “Planet ecin mirë, dhe në të ardhmen tashmë kemi vendosur të bashkëjetojmë në Prishtinë, duke përjashtuar ndonjë plan të afërt për martesë. Mendoj dhe shpresoj që profesionalisht do të merrem më shumë në drejtimin e fashion-it”,- përfundon ajo.

Olsa Toqi: Enedës nuk ia kam frikën

Olsi Toqi, kompozitorja e këngës “Përrallë”, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision, në një rrëfim për “Panorama”, tregon eksperiencën e saj dhe të grupit të këngës, si dhe punën që ka filluar për festivalin europian. Ndër të tjera, Olsa rrëfen se Eneda ka të gjitha pikat e duhura për ta përballuar një këngë të përmasave të atilla: “Përrallë” është shumë e vështirë për t’u kënduar dhe refreni kërkon potencë vokale dhe saktësi të madhe, Eneda i ka” – tregon ajo, duke shtuar se pika më e fortë e këngës është se ajo këndohet me shpirt. “Sa për live, s’ia kam frikën Enedës.”

“Përrallë” do të publikohet në versionin përfundimtar më datë 15 mars.

Joleza Koka: Dashurinë dua ta mbaj për vete

Një fjalim publik i trazoi përditshmërinë dhe e shndërroi papritur në emrin më të trafikuar të medias së shkruar dhe asaj sociale kryetares së FRESSH-­it. Joleza Koka është gjenerata e 25-­vjeçarëve, drejton të rinjtë socialistë dhe flet edhe për jetën gjatë këtij çerek shekulli që ka jetuar me Shqipërisë dhe Greqisë. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Joleza zbulon më shumë nga botëkuptimi dhe karakteri i një politikaneje të re, por edhe më shumë për rëndësinë e dashurisë në jetën e një politikaneje të re me ambicie për karrierë: “Dashuria, besoj është gjëja më e rëndësishme në jetën e çdo njeriu. Dhe duke qenë se është aq e rëndësishme, do të doja ta mbaja të gjithën për vete.”