Ja çfarë u shkrua e u komentua më shumë gjatë kësaj jave, cilët ishin personazhet që u vonë në fokus të mediave rozë dhe lajmet e reja rreth tyre.

Einxhel Shkira: Shumë vapë për të qenë çift
Moderatorja e In Tv, Einxhel Shkira është shndërruar shumë shpejt në një prej personazheve më të dashur për publikun dhe një ndër vajzat më të përfolura të ekranit. Veç pozave seksi, Einxhel nuk e ka problem as të jetë e hapur me publikun. Në një intervistë për “Bluetooth”, moderatorja ka folur për stinën e verës: “Këtë verë njësoj si verën e kaluar, vendin e pushimeve e ka zënë puna, të paktën deri në fund të korrikut... Shpresoj shumë që në gusht të realizoj ndonjë udhëtim me shoqërinë, por vendi është akoma i pavendosur”,– tregon ajo për planet e pushimeve, ndërsa për jetën private, me gjithë fotot e nxehta të verës, nuk ka lajme të nxehta. E për të gjithë fansat e saj, sidomos ata meshkuj, kjo verë s’do të jetë momenti kur ta shihni çift Einxhelin: “Vera s’më duket sezoni i duhur për t’u çiftëzuar. Shumë vapë! Që kështu, me kismet nga dimri”. Shpeshherë bukuroshja është përfolur për lidhje me meshkuj të njohur në vendin tonë. Por me sa duket këtë herë ka vendosur ta kalojë e vetme stinën e nxehtë.

Ikën Ermali, vjen Elvis Pupa
Lajmi i bujshëm i largimit të Ermal Mamaqit nga kanali “T” i “Digitalb” për të nisur një aventurë të re në televizionin “Klan” i habiti të gjithë. Por ndërkohë që Ermali përgatitet për sezonin që vjen në studion e tij të re, ai do të zëvendësohet në Digitalb nga Elvis Pupa, aktori i dikurshëm i “Portokallisë.” Pas një periudhe relativisht të gjatë në lëvizje mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Elvisi ka vendosur të rikthehet në ekranin shqiptar aktiv si dikur, këtë herë në rolin e një moderatori të një emisioni që ndërthur showbiz-in (e jo vetëm) me notat komike./Bluetooth/

Eva Pepaj, së shpejti do të bëhet nënë
Vetëm pak kohë pasi ka prezantuar të dashurin, Eva Pepaj ka zbuluar që është shtatzënë. Modelja e famshme shqiptare, e cila po zhvillon prej vitesh tashmë karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në muajin e fundit të shtatzënisë, ndërsa është në pritje të një djali. Modelja është mjaft entuziaste dhe e lumtur, ndërsa pritjen e ëmbël ajo ka vendosur ta ndajë me adhuruesit e saj në rrjetet sociale, duke zbuluar edhe foto të barkut të saj të fryrë. Modelja njihet kryesisht si modele për veshje të brendshme dhe bikini, ndërsa gjatë viteve, ajo ka qenë imazh i disa prej markave më të njohura ndërkombëtare. Modelja e “LA Models” është lidhur me një djalosh amerikan, i cili është një nga aktorët më premtues të Hollywood. Joseph Atash njihet për disa nga rolet e tij të rëndësishme në filmat “No Dumping”, “Lion’s March” dhe “The Knockout Game”. Në vitin 2014 ai ka bashkëpunuar me Robert De Niro.

Marina Fara, pushime në Sarandë me reperin e njohur
Marina Fara, vajza e këngëtares së njohur Eli Fara, ka nisur pushimet në qytetin e Sarandës, ku është në shoqërinë e reperit Varrosi, një nga pjesëtarët e grupit të Noizyt, OTR. Vajza seksi e këngëtares, e cila komentohet për linjat e lakuara në rrjetet sociale, nga fotot që ka postuar, duket se ia ka kaluar shumë bukur në prani të këngëtarit 28-vjeçar. Ai ndodhej në Sarandë bashkë me Noizyn, për të performuar para pak ditësh në një nga lokalet bregdetare të qytetit. Por, ndërkohë që Noizy është larguar për në destinacionin e radhës, miku i tij Varrosi ka gjetur një arsye të fortë për të vazhduar pushimet në Sarandë. Arsyeja ishte pikërisht Marina, e cila pozon natyrshëm, pa pasur nevojën për të fshehur diçka në marrëdhënien e tyre. Varrosi është një këngëtar i muzikës hip hop dhe pjesëtar i grupit OTR. Emri i tij i vërtetë është Denis Hajri. Ai ka lindur në Burrel, por jeton në Londër, ndërkohë që mbahet si një djalë simpatik nga vajzat. Ky është reperi i dytë për të cilin përflitet Marina, nëse kujtojmë flirtin e saj me Stresin./Panorama/

Rezi i “Portokallisë”: Jam i lumtur, martesën s’e kam plan
U njohën në filmin “Pit Stop Mafia” të regjisorit Fatmir Koçi, ku Rezart Veleshnja, në rolin e të aksidentuarit, u grimua me shenjat e dëmtimit nga e fejuara, Pranvera Metolli. Aktori u njoh me make up artist-en pikërisht në xhirimet e atij filmi aksion dhe që nga ajo kohë, ata janë bashkë. Pas mbylljes së sezonit televiziv të “Portokallisë”, Rezi ka nisur pushimet në jug me partneren. I pyetur për romancën e tyre, ai shprehet: “Ndihem i lumtur. Jam shumë i qetë me Pranverën, pasi më frymëzon, plus që është afër profesionit tim dhe më kupton për çdo gjë”. Pyetjes nëse kanë plan të martohen, ai i përgjigjet: “Jo, s’e kam në plan. Për momentin i jam dedikuar punës”. Këtë verë trupa e “Portokallisë” do të bëjë edhe punë, edhe pushime, pasi kanë nisur turneun në gjithë Shqipërinë.
