Kaq i duhej! Me trofeun e Topit të Artë, Cristiano Ronaldo kurorëzon një vit të mrekullueshëm futbollistik, ku ndër të tjera u shpall kampion i Europës dhe më pas i botës për klube me Realin e tij.

Portugezi fitoi këtë çmim përballë rivalit të përjetshëm, Lionel Messi, dhe portierit gjerman, Manuel Neuer.

Përgjatë 2014-ës, Ronaldo ishte aktori kryesor në fitimin e trofeut të dhjetë për Realin e Madridit, po ashtu edhe në fitimin e Kupës së Mbretit dhe më pas atë të kupës së botës për klube, ndërsa sa i përket kampionatit, “Los Blancos” u renditën të dytët, pas Atletico-s së Madridit.

Ky ishte trofeu i dytë radhazi për Ronaldo-n,  pas një dominimi 4-vjeçar të Lionel Messit.

Ronaldo-Messi, kundërshtarë të përjetshëm

Një dyshe kundërshtare, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, dhe një gjerman kampion bote si Manuel Neuer, ishin treshja favorite për të fituar Topin e Artë 2014 këtë mbrëmje. Ceremonia e mbajtur në Zyrih ka nxjerrë fitues Ronaldon.

Argjentinasi Diego Armando Maradona, në një televizion venezuelian, para disa ditësh, ka deklaruar se gjermani Neuer është lojtari që duhet ta fitojë këtë çmim,  as patrioti i tij, Lionel Messi dhe as kandidati tjetër, Cristiano Ronaldo. “Favoriti kryesor për mua është Neuer, - ka thënë Maradona,- sepse në 2014-ën ai ka më shumë merita”,- ka deklaruar ylli i futbollit.

Të dy kundërshtarët janë në këtë podium të pranishëm që prej shtatë vjetësh.

Ronaldo (29 vjeç), tashmë është lojtari evropian i sezonit 2013-2014, i shpallur nga UEFA. Dy herë fituesi i Topit të Artë (2008 e 2013) është shpallur shënuesi më i mirë i kampionatit të Spanjës në sezonin e kaluar (31 gola) dhe kryeson edhe në kampionatin e këtij viti (20 gola në 13 javë !). N°7 i Real Madrid është zg jedhur në pranverë shënuesi më i mirë në histori në një sezon të Ligës se Kampionëve (17 gola).

Messi (27 vjeç) ka synuar ta fitojë trofeun për herë të pestë.

Portieri gjerman, Neuer, nuk ia ka dalë të ngrejë kupën e trumfit. Portierët nuk kanë qenë gjithmonë të privilegjuar me çmimet botërore, përfshirë këtu edhe Topin e Artë, me Lev Yachine në 1963 (BRSS), e dy Topa të Argjendtë për italianët Dino Zoff në 1973 e Gianluigi Buffon në 2006.