Të ngasësh i apo e dehur, të mos ndalosh kur të bën sinjal polici i qarkullimit, I cili nga ana e tij gjithmonë duhet ta argumentojë arsyen e ndalesës, të kalosh në semafor të gabuar e me radhë, nga sot kushton pikë në patentë.

Të gjithë ata që sot kanë një leje drejtimi do të hyjnë në sistem me pikët maksimale dhe më pas në rast se kryejnë shkelje, do të kenë ulje në masa të ndryshme, varet nga lloji i shkeljes. “Të gjithë do kenë një sasi të caktuar pikësh prej 20 të tilla, siç është parashikuar dhe në Kodin aktual Rrugor. Për çdo shkelje që do verifikohet, që zakonisht është e një natyre që parashikon pezullim lejedrejtimi, do të zbriten dhe një numër i caktuar pikësh. Kështu do jetë si për shoferët aktualë, edhe për ata që do marrin më pas lejen e drejtimit.

Po kështu, në sitë kanë kaluar edhe autoshkollat, madje lidhur me këto të fundit Ministria e Transporteve ka bërë edhe ndryshimet specifike që lidhen direkt me procedurat si e zhvillojnë aktivitetin, si dhe rritjen e kritereve për marrjen e një leje drejtimi.

Ndryshimet

Ndryshimi i parë është në ndarjen dhe kategorizimin e llojit të lejes së drejtimit duke e përshtatur atë me sistemin europian, së dyti lidhur me kategorizimin e mjeteve, së treti specifikime për moshën e drejtuesve të mjeteve, si dhe së fundmi lidhur me kriteret për autoshkollat. Një vend të veçantë në këto ndryshime të fundit zë edhe ajo e ashpërsimit të masave ndaj atyre që ndërhyjnë në trupin e rrugës, duke rritur kështu gjobat për të dekurajuar nisma të tilla.

 Pikët e patentës

Patenta do të ketë 20 pikë dhe në varësi të gabimeve në drejtimin e mjetit të transportit do të bëhen zbritje. Në nenin 312 të rregullores apo në nenin 120 të Kodit, shtohet një pikë, sipas së cilës “leja e drejtimit do të jetë me pikë”. Bashkangjitur me projektvendimin janë vendosur edhe pikët që zbriten, në rreth 200 gabimet e mundshme që mund të kryejë drejtuesi i mjetit, sipas vlerësimeve të realizuara nga efektivët e qarkullimit rrugor.

Pikët e humbura mund të rifitohen, nëse plotësohen disa kushte, si pagesa e gjobave. Në raste të ndryshme, as gjoba nuk do t’i bëjë punë drejtuesit të mjetit në rast se gabimet i shkaktojnë humbje të menjëhershme të 15 pikëve (ose në një manovër apo veprim të ketë kryer 3 gabime me nga 5 pikë).

Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura do të përcaktohen nga Ministria e Transporteve me akte të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe programet e testimit.

Kontrolli i gjendjes reale të pikëve nga çdo drejtues mjeti rrugor do të bëhet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, duke iu referuar numrit të lejes së drejtimit. Kjo drejtori pritet të inaugurojë sot, në prani të Kryeministrit qendrën e re të shërbimit. Në pikën 4 të nenit 312/1 të rregullores, thuhet se “drejtuesit e mjetit rrugor, që janë punonjës të shërbimeve të policisë rrugore dhe kontrolleve të tjera në rrugë, sipas neneve 11 dhe 12 të Kodit Rrugor, numri i pikëve që u hiqet do të jetë dyfish, sipas rastit të gabimit”.

 

Maksimalja e pikëve të humbura në një gabim është 10 dhe minimalja me 1 nga 20 pikë që përmban patenta, por në rast se në një veprim të vetëm ose konstatim nga forcat e policisë rrugore për shkelje në tri gabime njëkohësisht, të cilat “kushtojnë” 15 pikë të humbura, atëherë drejtuesit të mjetit i merret patenta.

Sidoqoftë, Ministria e Transporteve thotë se, “për shkeljet e rënda, si aksident rrugor me largim nga vendi i ngjarjes ose drejtimi i mjetit rrugor në gjendje të pirë, pezullohet leja e drejtimit, deri në heqje të lirisë”. Projektvendimi për Kodin e ri Rrugor përmban shumë ndryshime të tjera sa u takon drejtuesve të mjeteve që kanë probleme me shikimin, e deri në modalitetet për licencimin e autoshkollave, kriteret kualifikuese të kursantëve, të mjeteve që përdoren në praktikë etj.

Në reformën e re parashikohet edhe mënyra e zbritjes së pikëve në patenta, si duhen rikuperuar etj. Kështu, zbritja e pikëve i njoftohet Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor (institucioni që lëshon patentat dhe lejet e qarkullimit rrugor) zyrtarisht ose në mënyrë telepatike nga ana e organeve të Policisë Rrugore, brenda 30 ditëve, nëse janë kryer pagesat e shkeljeve apo kanë përfunduar afatet e ankimit ose të kryerjes së këtyre procedurave. Nga ana e saj, Drejtoria e Patentave i komunikon zyrtarisht dhe në mënyrë telematike drejtuesit të mjetit rrugor vendimin e marrë për shkeljen e kryer. Mësohet se njoftimi mund të kryhet edhe me postë (kur të zgjidhet një herë e mirë sistemi i adresave të sakta!).

Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejes së drejtimit duhet t’u nënshtrohet provave kualifikuese. Po kështu duhet të veprohet nëse mbajtësi i lejes së drejtimit kryen shkelje të përsëritura në të paktën tri herë me një minimum prej 5 pikësh (rregulli i “15 pikëshit”).

Shkelje të rënda

Në total, patenta sipas Kodit Rrugor do të ketë 21 pikë. Çdo drejtues mjeti, që nga fillimi i zbatimit të këtyre ndryshimeve, do të nisë me numrin maksimal të pikëve dhe, për çdo rast shkeljeje, do t’i zbriten pikët. Shkelja më e rëndë është ajo kur mjeti nuk zbaton ndalimin, në rast të një aksidenti që ka rezultuar me dëm në njerëz. Në këtë rast, automatikisht sipas Kodit Rrugor parashikohet zbritja me 15 pikë nga patenta. Të tjera raste kur pikët ulen mjaft, kryesisht në kufirin 10, janë ato të mosbindjes ndaj uniformave të Policisë për të ndaluar, kundërshtimi për të kryer testet e alkoolit apo të qenët nën efektin e drogave dhe substancave të tjera. Po kështu për mjetet që kryejnë transport mallrash, masat më të rënda janë në ato raste kur qarkullimi bëhet pa autorizim. Më i ashpër ndëshkimi me ulje pikësh do të jetë për drejtuesit e rinj, që kanë më pak se tre vjet që zotërojnë patentën.

Kategorite e mjeteve

Në listën e kategorive të mjeteve që fillonin nga L1 mjete të thjeshta motorike e deri tek O4 mjete me rimorkio dhe me tonazh mbi 10 tonë, qeveria ka shtuar në listën edhe një kategori tjetër. Kështu, ndryshimet e fundit përfshinë edhe kategorinë T, që lidhet me traktorët duke i specifikuar ata nga më të thjeshtët te më të mëdhenjtë. Te kategorizimi i mjeteve ka ndryshuar edhe pjesa që lidhet me shpejtësinë kufizuese maksimale të kategorisë L1, pra mjete të thjeshta, duke e bërë atë nga 50 kilometra në 45 kilometra.

Patentat

Në Kodin Rrugor është ndryshuar komplet ndarja e lejeve të drejtimit në disa kategori, duke e përshtatur këtë tashmë me sistemin europian. Pra, e para është kategoria AE që përfshin ciklomotorë apo mjete me katër rrota, por të lehta. Kategoria e fundit e lejedrejtimit është DE, e cila përfshin kombinimin e një mjeti të kategorisë D me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg.

Për të gjithë ata që nuk kanë një lejedrejtimi, por që kapen duke drejtuar një të tillë qeveria ka ashpërsuar në Kod masat me gjobë.

“Cilido që drejton automjete a motomjete pa marrë lejedrejtimin, dënohet me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. I njëjti dënim zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa lejedrejtimi, sepse u është hequr ose nuk është rinovuar për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga ky Kod”, thuhet në ndryshimet e miratuara. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë një mjet, por që ia japin ta drejtojë dikush që nuk zotëron leje drejtimi, masa e gjobës është nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit.

Autoshkollat

Autoshkollat do t’u përshtaten ndryshimeve që sjell Kodi Rrugor. Këto të fundit do të duhet që të përshtatin programet e tyre të përgatitjes teorike dhe praktike të drejtuesve të mjeteve me standardin e ri, ndërkohë që tarifa do të përcaktohet prej tyre. Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet nga vetë autoshkolla, e cila regjistron personat e interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi me banim në juridiksionin e rrethit, për të cilën është licencuar, si dhe studentët me qëndrim të përkohshëm, brenda këtij juridiksioni. Një kufizim që sjell ndryshimi i Kodit Rrugor, është ai i kufizimeve të kohës, ku mësuesit e teorisë nuk mund të japin më shumë se 6 orë teori, instruktorët jo më shumë se 8 orë praktikë dhe një kursant jo më pak se 1 orë praktikë në ditë.