Të gjitha universitetet duhet të publikojnë sot listat përfundimtare të fituesve, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk kanë ndryshim nga ato paraprake. Ndonëse të pakta në numër, ankimimet në secilin fakultet mësohet se nuk do të ndryshojnë asnjë presje nga listat e datës 5 shtator. Tashmë e gjithë vëmendja e maturantëve që s’kanë fituar është kthyer në fazën e dytë të garës.
Udhëzimi u jep mundësinë atyre që të hyjnë në garë me një tjetër listë me dhjetë programe ku duan të studiojnë. Megjithatë, ata nuk duhet të përsërisin të njëjtat gabime. Ekspertët e arsimit iu sugjerojnë atyre që më parë të konsultohen me kriteret e universiteteve dhe pikët e fituesit të fundit për secilën degë që dëshirojnë, me qëllim që në bazë të portofolit të pikëve dhe dëshirës që kanë, të bëjnë zgjedhjen e duhur. Ata që kanë fituar të drejtën e studimit në një degë, por nuk e kanë qejf, duhet të mendohen mirë. Probabiliteti që të humbasin degën e fituar është i vogël, por asgjë nuk është e sigurt, pasi në fazën e dytë listës së aplikantëve do t’i shtohen edhe maturantët e vjeshtës, që janë 7 mijë. Për ata që dëshirojnë shumë të ndjekin një program studimi, këshillohet që në listën preferenciale të ketë hapësirë edhe për universitetet private.
RAUNDI I DYTË
Ka ardhur koha kur maturantët që kanë fituar disa programe studimi, duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre për t’u regjistruar në sekretarinë e fakultetit që dëshirojnë deri në datën 20 shtator. Por problemi qëndron te të pakënaqurit. Janë tri kategori maturantësh që kundërshtojnë ministrinë me skemën e re të pranimeve, e cila aplikohet këtë vit për herë të parë: ata me mesatare të lartë që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi; maturantë që kanë fituar një program studimi që nuk e dëshirojnë dhe aq, dhe druajnë të vazhdojnë garën me frikën se do të humbasin dhe atë, si dhe të tjerë me rezultate mesatare mbi 7, të cilët mendojnë se duhet të ketë vend edhe për ta në universitet. Udhëzimi parashikon një fazë të dytë aplikimesh që nisin nga data 22 shtator deri më 1 tetor (sipas rretheve). Në këtë fazë pritet të mbushen kuotat e lira që do të bëhen publike me përfundimin e regjistrimeve në universitete, pas datës 20 shtator. Edhe në këtë fazë nuk përjashtohet mundësia që një maturant të fitojë disa programe studimi, duke lënë të tjerë jashtë listës. Një post raund do të realizojë mbushjen e kuotave boshe, duke pranuar maturantët që ndodhen poshtë vijës së kuqe. Kjo është zgjidhja që ka bërë publike deri më tani ministria, ndonëse nuk është e përfshirë në udhëzimin e pranimeve./Panorama/