Publikohen emrat e fituesve në universitete të raundit të dytë, ku Fakulteti Ekonomik ka qenë i pari, i cili ka publikuar emrat e fituesve në të gjitha degët.

Në Fakultetin Ekonomik janë shpallur 931 kandidatë fitues, por disa prej tyre kanë fituar më shumë se një degë. Burime të ndryshme bëjnë me dije se nga ky fakultet janë 326 kandidatë, të cilët kanë fituar më shumë se një degë dhe këto do të jenë kuota të lira pas raundit të dytë.

"Pas raundit të dytë të aplikimeve, janë shpallur 931 aplikime fitues. Ftojmë kandidatët fitues të bëjnë regjistrimet përkatëse në degën ku dëshirojnë, duke respektuar afatet ligjore.  Ndërkohë, kandidatët jofitues duhet të jenë shumë të vëmendshëm për fazat e mëtejshme, pasi në Fakultetin e Ekonomisë, si rrjedhojë e formulës së ndjekur këtë vit për pranimet në IAL-të; edhe nëse të gjithë aplikantët e shpallur fitues regjistrohen në degët e shpallura, përsëri mbeten 326 vende të paplotësuara, duke qenë se aplikantët janë shpallur fitues në dy ose më shumë degë", thuhet në faqen zyrtare të Fakultetit të Ekonomisë.

Mundësitë

Pas raundit të parë, ku shumë maturantë ishin të pakënaqur, për shkak se kishin mesatare të lartë, por nuk ishin shpallur fitues, me raundin e dytë do të ketë ndryshim rrënjësor të listës. Mundësitë më të mëdha do t’i kenë maturantët që nuk kanë fituar asnjë degë, por që kanë mesatare të lartë. Kjo do të jetë lista paraprake e fituesve, pasi lista përfundimtare e raundit të dytë, pritet të publikohet më datën 12 tetor. Më pas do të nisin regjistrimet e kandidatëve fitues nga data 12-16 tetor.

MAS

Drejtoreasha e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Linda Pustina, tha dje në një dalje për mediet se studentët që do shpallen fitues do të dallohen me ngjyrë jeshile. "Maturantët duhet të jenë të qetë, pasi është një procedurë, e cila do të përsëritet si procedura e raundit të parë. Patjetër do të ketë më shumë maturantë që do të shpallen fitues më shumë se në një degë, si në raundin e parë. Lista paraprake do të shpallet më datë 6-të.

Ajo listë përfundimtare do të jetë lista që përdoret për raundin e dytë dhe në përfundim të raundit të dytë, për të gjithë kuotat e mbetura bosh, po e njëjta listë do të përdoret për të zbritur vizën. Nëse një student ka 4 degë ku është shpallur fitues do të shfaqen me jeshile, ndërsa degët ku nuk është shpallur fitues do të shpallen me të kuqe. Ndërkohë, studentë të tjerë regjistrohen dhe lirohen vende në degët e tjera. Sistemi ka parashikuar që një student, i cili nuk është regjistruar ende për degët ku rezulton jofitues dhe pasi të jenë liruar kuotat, mund të jetë fitues në fazën e zbritjes së vizës dhe studentit do t’i shfaqet me vijë të verdhë"- u shpreh Linda Pustina.