Uarda Çota, 28-vjeçarja, e dënuar me 5 vjet burg për aksidentin automobilistik të 29 dhjetorit 2014, në Tiranë, që i mori jetën djalit të mitur të ish-zëvendës ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, u liruara dje nga Burgu 325. Para nisjes së aktivitetit, emri i saj u lakua nga personeli i institucionit si një nga tre të dënuarat që kishin kërkuar të mos regjistroheshin nga kamerat televizive të pranishme në ambientet e burgut. Më vonë, duket se kjo kërkesë u injorua edhe nga vetë e reja. Momenti i daljes së saj nga porta kryesore u shoqërua me brohoritma të familjarëve dhe miqve, më shumë se dhjetë të tillë, të cilët i kishin blerë edhe një buqetë me lule. Gjatë këtyre momenteve, ajo bëri edhe një foto në krah të ministrit Manjani.

Gjatë një prononcimi për mediat, duke u shprehur se ishte në ditën e saj më të lumtur, ajo falënderoi ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, si iniciator i amnistisë dhe i uroi lirim të shpejtë gjithë të bashkëdënuarave të tjera. Mirëpo, gjatë intervistës, ajo u pyet se cilet persona e priten ne daljen nga burgu. Teksa po tregonte, një i afërm ndërhyn dhe thotë: “I kemi prerë biletë për Dubai”. Siç duket, Uarda do të kalojë pushime luksoze pas daljes nga burgu.
lli Manjani dhe “Dora e Ngrohtë” e shtetit
Nga Rudina Xhunga
Ministri Manjani, me të drejtë, doli duke pritur gratë që përfituan nga amnistia dhe lanë burgun, për t’u bërë thirrje shqiptarëve t’i japin një dorë dhe mos i paragjykojnë. Vetëm se në mes të atij show mediatik qëllimmirë ishte një çast i neveritshëm. Momenti kur Uarda Çota u prit me duartrokitje.
Media e ktheu vajzën 26-vjeçare, liruar pas një aksidenti me pasojë vdekjen, për shkak të dyfishit të shpejtësisë dhe gjendjes së dehur, në lajm kryesor, si vajzën seksi që ia doli të dilte nga burgu. Familjarët e pritën me lule, ajo vetë falënderoi ministrin Manjani dhe uroi të lirohen të gjithë, si ajo.
Përse gjithë kjo skenë? Për kë bëhet? Për të lënduar një nënë që i vdiq djali në duar, nga papërgjegjshmëria e Uardës? Për të mos prekur jetët e bukura të Uardave, që të marrin në qafë, kur je në rrugën tënde, apo të firmave hajdute të rrugëve që vënë shenjat kujdes, pas çdo vdekjeje në aksident, si të jenë lapidarë vdekjesh fatkeqe?!
Për kë ishin ato duartrokitje? Për veshët tanë që po mësohen nga lajmet aksidente dhe i botojmë si lajme të botës së tretë, derisa vdes një nga ne, vetë ne?
Mbase nuk është faji i Uardës që nuk vuri një kapele në kokë, syze dhe të priste të iknin të gjithë dhe të dilte pa bujë e zhurmë.
Ose nëse do ta njihnin, edhe me syze e kapele, të largonte kamerat e të thoshte: Nuk flas, për hir të atij fëmije.
Mbase nuk është faji i familjarëve të saj që e duartrokitën dhe përqafuan se mezi e prisnin jashtë. Edhe pse mund t’ia kishin kursyer atë skenë familjes së viktimës 11-vjeçar.
Mbase nuk ka faj as Ylli Manjani, që na risolli skenën nga filmi “Dora e Ngrohtë”. Mbase ai vajti për lajm të parë e përfundoi si sfond i një shteti që të do për sfond.
Mbase faji është jetim. Por mua më vjen turp që e pashë atë çast, kur media përcolli zhurmën e faljes për vdekjen e një 11-vjeçari pa faj. Atij ia mori jetën, kjo bota jonë, që nuk ka respekt as për vdekjen./dritare.net/