Me siguri ka njerëz që mund ta thonë kur nisi kjo modë: transmetimi live nga pika e mëngjesit deri në orët e vona të natës, në mos gjatë gjithë saj, i procesit zgjedhor. Në vazhdim të kësaj tradite, që mesa duket ka rezultuar e suksesshme në numër ndjekësish, edhe dje, ditën e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, shumica e ekraneve transmetonin maratonën e zgjedhjeve.
Disa televizione kishin bërë një shpërndarje të përkryer të gazetarëve dhe kameramanëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Sa më shumë fuqi të kishin e sa më seriozë të ishin në këtë detyrë për të transmetuar procesin zgjedhor minutë pas minute, aq më shumë gazetarë kishin shpërndarë në terren e nëpër rrethe: një kryesor, një mbështetës që i përcillte informacion kryesorit, plus korrespondenti i asaj zone. Çfarë organizimi! Çfarë mobilizimi! Nga ana tjetër, gazetarët që dirigjonin nga studiot kryesore dhe opinonistët e shpërndarë në to, dje kishin ditën e sprovës për mundësitë e organizmit të tyre për të menduar, folur dhe qëndruar syhapur në kushtet e lodhjes ekstreme.
Dhe e gjitha kjo për çfarë? Për të raportuar dhe informuar çdo minutë shikuesit për procesin zgjedhor. Po pse shikuesi të ketë vallë nevojë të shikojë çdo minutë, në çdo ekran, si ecën procesi zgjedhor, kur televizionet informative ekzistojnë tashmë dhe kur televizionet gjeneralistë kanë disa edicione lajmesh gjatë ditës? Mos do ishte më mirë që informacionet të përpunoheshin pak, sepse me presionin për të mbushur këtë transmetim live, bëhen lajm ato që s’janë si për shembull “një tentativë për grabitje pak minuta para se të votonte Grida Duma” dhe deri në fund të ditës, ke dëgjuar aq shumë për grabitje, që nuk janë bërë, për “sherre”, që mund të kenë ndodhur nga vapa dhe meqë ti je i aftë të kesh edhe vapë dhe të zihesh vetë, nuk ke nevojë të dëgjosh në TV për to, apo për pasaporta që nuk u pranuan, pastaj zgjedhësi shkoi në shtëpi, mori kartën e identitetit dhe votoi normalisht..Ndërkohë kjo është servirur si një lajm me komisionerë që ndalojnë votën e lirë, ke dëgjuar për zgjedhës të infiltruar, ke dëgjuar për lista të manipuluara. Dhe pse të gjitha këto ndodhin në Shqipëri që ç’ke me të, ky transmetimi live minutë pas minute, shumë më shpesh e degjeneron fillin e ngjarjes duke e tërhequr me zor për të mbushur transmetimin live, sesa ndihmon për ta zgjidhur.
Ndërkohë atmosfera vetëm sa rëndohet, nga ekranet dëgjon zërat e spikerave që e kanë humbur qetësinë, që thërrasin kolegët në anë të ndryshme të Shqipërisë si të ishte gjendje lufte, deklarata me tone solemne, akuza, kundërakuza, tjerrje, zgjatje, numërime, statistika që ngrihen, përmbysen, ringrihen, panik, frikë, alarm, pastaj qetësi, frymëmarrje, prapë deklaratë, armët, furgonat, policia, gati!, luftë! a jo nuk është luftë, janë zgjedhjet, por është sikur të ishte. Për çfarë? Për të informuar? Ku është informacioni këtu? Dhe për çfarë duhet ai informacion?
Dhe pastaj zgjedhjet mbarojnë. Ndërsa në çdo vend, dy orë pas përfundimit të procesit, njerëzit e interesuar do kishin trendin e rezultateve, te ne ende nuk ka filluar procesi i numërimit, por transmetimi live vazhdon. Njerëzit në studio bëjnë muhabet. Ç’të bëjnë tjetër? S’ka asnjë lajm, s’ka asnjë të re, s’ka asnjë aryse për të qenë në transmetim me atë temë, që është rrahur dhe dergjet pothuajse pa ndjenja mes tyre. Po çfarë kuptimi ka kjo maratonë? Apo do thoshit që po nuk i pëlqeu publikut, le të mos shohë televizor, ose ta kthejë stacionin nga ato kanalet me pagesë? Mirë e keni! Qenkeni të një filozofie me faturinot e autobuzave kur ti hipën në autobus dhe ngelesh 10 minuta në stacion, kur shiu hyn nga baxhaja e hapur, kur bën shumë vapë dhe kondicioneri është fikur, kur hajdutët të kontrollojnë dhe rikontrollojnë xhepat e çantat, që “po nuk të pëlqeu, merr taksi”. Nëse nuk ke lekë të marrësh taksi, ose nëse nuk ke tv me pagesë, nuk ke të drejtë të ankohesh.
E kështu mbaroi dhe një ditë tjetër zgjedhjesh në Shqipëri. Edhe këtë herë, ky popull do të ketë qeverisjen lokale që meriton. Dhe këtë vit, mund të thotë dikush, pati median që meriton. Sepse televizionet prandaj transmetojnë gjithë ditën procesin zgjedhor sepse "këtë do populli, përndryshe askush nuk do i shohë”. Dhe media është biznes, vendos sipas shifrave. Ashtu si spitalet dhe shkollat private dhe pse nuk ndryshon shumë puna dhe te ato shtetërore. Nëse njerëzit nuk shërohen, apo nuk arsimohen mirë, e rëndësishme është që në fund të muajit të jenë mbuluar shpenzimet dhe të kenë dalë me fitim pronarët. Etika, morali dhe përgjegjësia sociale janë kapituj literature. Edhe roli edukues i medias. Ndërsa në realitet “nuk do e edukojmë ne këtë popull, nuk do e ndryshojmë ne me një ditë” dhe ja ku serviret ajo pjatë bajate me të cilën fitohet atë ditë. Sepse për zgjedhje, duhet të hash zgjedhje.
Dhe nëse pas kësaj dite, mediat mendojnë që nuk do e kishin edukuar këtë popull po të vepronin ndryshe, duke vazhduar kështu, theksojnë traditën që kanë krijuar vetë, i trajtojnë shqiptarët si një popull që është gati të lërë gjithçka për të ndjekur zgjedhjet sikur kjo të ishte ngjarja më e rëndësishme e kësaj shoqërie.
Por, papritur ti sheh një film vizatimor. Nuk të besojnë sytë. Mëngjes. Ditë e diel. Një javë me probleme, një ditë e re për njerëzit që, si përshtatshmëri mbijetese, gjithmonë kanë një prirje instiktive t’i kalojnë ato. Fëmijët në dhomë duhet t’i qetësosh me ndonjë mënyrë sepse sapo ke kuptuar që ka mbaruar qumështi! Dhe në këtë çast krize, një televizion shqiptar, këtë mëngjes të diele, që është e diela e votimeve, nuk ka maratonë zgjedhjesh, por ka një film vizatimor! Faleminderit TV Klan!
Dikush duhet ta bënte. Dikush duhet të guxonte të mposhtte frikën mos i ulej audienca për një ditë, për ta trajtuar publikun e tij me dinjitet. Për t’i ofruar një program televiziv normal, në një vend normal, me qytetarë normalë, në një ditë të Perëndisë! Për të mos qenë media që nuk e meritojmë, por na imponohet. Nëse do kishe diçka tjetër më të mirë sesa telenovela turke në mbrëmje, do thoshim dy herë faleminderit!