Një vlerësim i Bankës Botërore për zhvillimin e rajoneve në Ballkanin Perëndimor dhe në Kroaci gjeti se Elbasani dhe Kukësi janë në mesin e rajoneve më të varfra në Ballkan. Këto prefektura janë më të varfrat në Shqipëri, por gjithashtu janë më të varfrat e 20 rajoneve më të varfra të Ballkanit.
Sipas vlerësimit të Bankës, dy prefekturat shqiptare kanë rënë në kurthin e dyfishtë të varfërisë. Përveç se të ardhurat e këtyre qarqeve janë shumë poshtë mesatares kombëtare, ekonomia e tyre në vend që të rritet është në rënie ose po rritet me ritme shumë të ulëta duke e zbehur në këtë mënyrë perspektivën e tyre për t'u afruar me standardet kombëtare.
Nga vendet e marra në krahasim, Kroacia e cila tashmë është edhe anëtare e BE-se ka nivelin më të lartë të të ardhurave sipas rajoneve.
20 nga 45 rajone jashtë Kroacisë kualifikohen me të ardhura të ulëta nën pragun mesatar rajonal të 75% të PBB për frymë. Midis rajoneve me të ardhura të ulëta janë Podunvjle, Raska dhe Rasina (Serbi); Polog (Maqedonia e Veriut); Kukësi dhe Elbasani (Shqipëri), ndërsa 14 rajonet e tjera me të ardhura të ulëta po rriten mbi nivelin mesatar rajonal, dhe kështu mund të konsiderohen në rrugën e konvergjencës.
Disa rajone me të ardhura më të larta, veçanërisht në Kroaci dhe Serbi, po rriten shumë poshtë mesatares së Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë. Mes tyre janë kryeqytetet e Beogradit, Tiranës dhe Zagrebit.
Por teksa shumica e rajoneve të varfra në Ballkan janë në një rrugë konvergjence çka do të thotë se ritmi i rritje së tyre premton afrimin me standardet kombëtare, disa rajone janë në rrugë divergjence. Kjo do të thotë se teksa ekonomia e tyre kombëtare po rritet këto rajone po pësojnë rënie.
Disa rajone të tjera në Ballkan, të cilat i kanë të ardhurat për frymë në nivele të larta me mesataren kombëtare po rriten me ritme të ulëta. Këto janë Banat i Veriut, Banat i Qendrës, Bor dhe Braniceva në Serbi, Pelagonia në Maqedoninë e Veriut, Vlora në Shqipëri.
Burimi: Monitor