Burime dhe video të ndryshme kanë konfirmuar, që sot paradite është gjuajtur me vezë në drejtim të kryeministrit Rama pasi ai ka dalë nga një konferencë. Konferenca zhvillohej në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale ku Rama ka lënë një rrëmujë të madhe dhe ndalimin e 8 studentëve. Mësohet që ata kanë protestuar kundër Reformës së Arsimit të Lartë që ka rritur tarifat e universiteteve publike.

Pesë studentë janë të grupimit të Lëvizjes për Universitetin dhe tre të Klubit Politik të Kosovës. Studentë të tjerë kanë deklaruar që ndaj këtyre të tetëve është ushtruar dhunë, por Policia ka mohuar këto deklarata.

“Qeveria përdori forcën për të kaluar forcërisht një reformë që pasuron universitetet private, ndërsa tashmë po përdor dhunën policore për të ruajtur privilegjet e privatëve”, thuhet në deklaratë.

“Sqarojmë publikun se nga Policia e Shtetit nuk është keqtrajtuar askush, si dhe përgënjeshtrojmë çdo pretendim të cilësdo Partie politike që akuzon Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve. Policia e Tiranës ka ushtruar detyrën brenda normave dhe procedurave standarde të punës, duke angazhuar efektive femra policie për të kryer shoqërimin e femrave që u përfshinë në incident, si edhe forca të tjera për shoqërimin e të rinjve. Theksojmë se gjatë shoqërimit nuk është përdorur në asnjë moment dhunë fizike. Policia e Shtetit ka bërë detyrën, edhe në kushtet kur ndaj punonjësve të policisë që po bënin ndalimin e studentëve, disa të rinj u përpoqën fizikisht t’i ndalonin të zbatonin ligjin”, bën të ditur policia.