Prej muajit mars, ato që na mungojnë më shumë janë pa dyshim përqafimet. Të privuar nga përqafimet për shkak të pandemisë së Covid-19, njerëzit nuk mund ta shprehin më dashurinë si më parë nga frika e transmetimit të virusit te të dashurit e tyre.

Mirëpo, ata që e ndjejnë më shumë këtë mungesë janë të moshuarit, të cilët kanë nevojë më shumë se të gjithë për dashuri. Por duket se një shtëpi të moshurarish në Spanjë ka gjetur një zgjidhje dhe fotot virale kanë prekur zemrat e miliona njerëzve.

Në Valencia të Spanjës, një shtëpi pensionistësh ka ngritur një "dhomë përqafimi", një zonë me të gjitha masat mbrojtëse, ku anëtarët e familjes që vizitojnë të dashurit e tyre çdo ditë mund t'i përqafojnë ata të sigurt me një veshje plastike, për të shmangur mundësinë e infektimit me Covid-19 të të moshuarve.

Këto ishin përqafimet e para që të moshuarit kanë marrë pas kaq shumë muajsh dhe pas kaq shumë thirrjesh vetëm përmes telefonit dhe video telefonatave.

Në këto muaj të bllokimit global, shtëpitë e të moshurave kanë qenë pothuajse kudo vendet ku virusi ka goditur fort. Sidoqoftë, të njëjtat shtëpi pensionistësh ishin gjithashtu vendi i iniciativave shumë prekëse për të lehtësuar vetminë e të moshuarve gjatë pandemisë.