Shqipëria renditet e katërta në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë.
Pas Shqipërisë renditet Meksika (478 vdekje për 100 mijë banorë), e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (482), Bjellorusia (472), Rumania (465) , Kazakistani (459), Peruja (447).
Sipas raportit, Shqipëria i ka vdekjet totale nga Covid-19 rreth 6 herë më shumë sesa deklarimet zyrtare, duke u renditur sërish ndër vendet që kanë normën më të ulët të deklarimeve zyrtare në raport me vdekjet totale, pas Bjellorusinë, dhe Azerbajxhanit. Në Maqedoninë e Veriut, raporti është 2, ndërsa në Mal të Zi është 1.4.
“Health Data” vlerëson se në mbarë globin, Covid-19 ka shkaktuar 6.9 milionë vdekje ose 2 herë më shumë sesa është deklaruar zyrtarisht deri tani. Vlerësimi bazohet në matjen e vdekjeve shtesë gjatë javëve pandemike krahasuar me atë që do të pritej bazuar në trendet dhe sezonalitetin e viteve të kaluara. Sidoqoftë, thotë raporti, niveli i vdekjeve shtesë nuk është i barabartë me totalin e vdekjeve COVID-19. Vdekshmëria e tepërt ndikohet nga gjashtë faktorë:
a) niveli i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19, domethënë, të gjitha vdekjet që lidhen drejtpërdrejt me infeksionin COVID-19; b) rritja e vdekshmërisë për shkak të shtyrjes së kujdesit shëndetësor të nevojshëm gjatë pandemisë; c) rritja e vdekshmërisë për shkak të rritjes së çrregullimeve të shëndetit mendor përfshirë depresionin, përdorimin e shtuar të alkoolit dhe përdorimin e shtuar të opioideve; d) zvogëlimi i vdekshmërisë për shkak të uljes së lëndimeve si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve; e) zvogëlimet e vdekshmërisë për shkak të transmetimit të zvogëluar të viruseve të tjerë, kryesisht të gripit, virusit të frymëmarrjes dhe fruthit; dhe f) zvogëlimet e vdekshmërisë kronike, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes, që ndodhin kur individët e dobët që do të kishin vdekur nga këto kushte vdiqën më shpejt si rrjedhojë e COVID-19./aw/