Mark Zuckerberg iu përgjigj ish-punonjëses së Facebook, e cila dëshmoi se CEO i Facebook nuk mban përgjegjësi dhe se kompania fiton duke rrezikuar privatësinë e njerëzve (lexoni këtu).

Zuckerberg tha se kompania që ai themeloi kujdeset "thellësisht për çështje si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor". Përgjigjja erdhi menjëherë pas deklaratave të ish-punonjëses Frances Haugen.

Haugen tha se kompania minimizoi efektet negative të Instagram-it në shëndetin mendor të adoleshentëve, përjashtoi përdoruesit me shumë ndjekës nga rregullat e përmbajtjes dhe nuk arriti të godiste kartelat e drogës dhe trafikantët e njerëzve.

Zuckerberg hodhi poshtë akuzat në një letër drejtuar punonjësve që ai e bëri publike të martën, duke shkruar se deklaratat keq-përfaqësojnë punën dhe motivet e tyre.

"Nëse nuk do të kujdeseshim për luftimin e përmbajtjes së dëmshme, atëherë pse do të punësonim kaq shumë njerëz të përkushtuar për këtë sesa çdo kompani tjetër në hapësirën tonë - edhe ato më të mëdha se ne?" -ka shkruar Zuckerberg. "Nëse do të donim të fshihnim rezultatet tona, pse do të kishim krijuar një standard udhëheqës në industri për transparencën dhe raportimin e asaj që po bëjmë?"

Zuckerberg gjithashtu komentoi ndërprerjen e gjatë të së hënës të Facebook dhe produkteve të tij Instagram dhe WhatsApp, të cilat i shkaktuan kompanisë 50 miliardë dollarë humbje.

"Ne kemi kaluar 24 orët e fundit duke diskutuar si mund t'i forcojmë sistemet tona kundër këtij lloj dështimi," tha ai duke e quajtur incidentin, ‘ndërprerjen më të keqe në vite’. "Kjo ishte gjithashtu një kujtesë se sa e rëndësishme është puna jonë për njerëzit ... të cilët mbështeten në shërbimet tona për të komunikuar me të dashurit, për të drejtuar bizneset e tyre ose për të mbështetur komunitetet e tyre."