Vitet e fundit është kthyer në trend publikimi në rrjetet sociale i aktiviteteve që kryhen në shkollë, pa marrë kurrfarë miratimi paraprak nga prindërit e nxënësve e madje as të vetë fëmijës.

Por një gjë e tillë nuk do të lejohet më. Drejtuesit e shkollave apo çdokush që menaxhon rrjetet sociale të institucioneve arsimore nuk do ta kenë të lehtë publikimin e aktiviteteve të shkollës në rrjete sociale.

Ata duhet të mendohen dy herë, nëse ajo që do ta shikojnë të gjithë në “Facebook”, “Instagram” a gjetkë bie ndesh me rregulloren “Për administrimin dhe publikimin e materialeve në rrjetet sociale nga drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare”.

Dokumenti i firmosur në 2 nëntor synon marrjen e masave për të parandaluar cenimin e privatësisë së fëmijës. Nuk janë të pakta rastet kur mësues e drejtues shkolle që përdorin fëmijët, nga ata të çerdhes deri në gjimnaz, për të promovuar institucionin.

KUFIZIMET

Fillimisht çdo shkollë që ka një llogari të sajën në rrjetet sociale duhet të zyrtarizohet, duke e specifikuar fill pas emrit që bart institucioni arsimor fjalën “zyrtare”. Së dyti, duhet të jenë vetëm drejtuesit e shkollave ata që administrojnë rrjetin, jo një person çfarëdo, sipas dokumentit në fjalë. Dhe ajo që caktohet për t’u parë nga të gjithë duhet të jetë e mirëmenduar.

Lejohet publikimi i aktivitetit që ka lidhje me procesin mësimor, veprimtaritë edukative të institucioneve dhe aktiviteteve të tjera të lidhura”, saktësohet në nenin 7 të rregullores (faksimile bashkëngjitur shkrimit) që flet për administrimin e rrjeteve sociale dhe që ndiqet nga neni 8, i cili numëron gjashtë ndalimet apo kufizimet.

E para ndalon rreptësisht publikimin e të dhënave si foto, filmime të fëmijëve pa miratimin e prindit apo personit që gëzon përgjegjësinë prindërore. Nëse ndodh, çdo foto a video duhet punuar duke sfumuar fytyrat e fëmijëve dhe pa vendosur emrin apo ndonjë të dhënë identifikuese.

Në këtë nen ngarkohen me përgjegjësi, përveç drejtuesit të shkollës, edhe stafi mësimor, për fotot e marra nën drejtimin e tyre apo të materialeve të tjera që publikohen. Materialet me karakter diskriminues gjithashtu bëjnë pjesë në listën e gjërave të ndaluara për publikim në rrjete sociale. Këtë rregullore duhet ta kenë parasysh të gjithë.

Mosnjohja e saj nuk mund të shërbejë si arsyetim për t’iu shmangur përgjegjësisë. Ndërsa mosrespektimi i saj është mjaftueshëm për të nisur procedim disiplinor, qoftë përdrejtuesin e shkollës apo mësuesit që shkelin rregulloren.

“Mosrespektimi i rregullores sipas parashikimeve të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë ngarkon me përgjegjësi civile dhe administrative institucionin arsimor përkatës. Të dëmtuarit i lind e drejta e kërkimit të një kompensimi financiar për dëmin e shkaktuar”, nënvizohet në dokumentin e firmosur nga drejtori i përgjithshëm i arsimit parauniversitar, Selman Hodaj.