Shumë pika të McDonald's janë mbyllur përkohësisht në Indonezi për shkak të frikës së përhapjes së COVID-19, si pasojë e një bumi porosish për një vakt të ri të quajtur si grupi i njohur korean BTS.

Xhakarta dhe disa qytete të tjera kanë mbyllur të paktën 13 pika shitjesh të McDonald's, që janë “pushtuar” nga një numër i madh shoferësh që shpërndajnë ushqimin. Kjo pasi numri i porosive online për ushqimin e BTS u bë i papaërballueshëm.

Vakti përfshin dy salca speciale të zgjedhura nga anëtarët e grupit, 10 krahë pule, patate të skuqura dhe një cola.

"Ne mbyllëm përkohësisht 4 nga 6 dyqanet e McDonald's këtu në Semarang për disa ditë," tha Fajar Purwoto, kreu i agjencisë së rendit publik të Xhakartas. "Nuk duam që Semarang të jetë përsëri në zonën e kuqe COVID-19"

Ushqimi BTS u bë i disponueshëm në Indonezi dje, por ka qenë në dispozicion në dhjetra vende që nga maji. Madje, disa njerëz kanë shitur në internet paketimet e vakteve të BTS për qindra dollarë.

Drejtoresha e komunikimit të McDonald's në Indonezi, Sutji Lantyka tha se vaktet do të ishin në dispozicion deri në muajin e ardhshëm, kështu që fansat nuk kishin pse të nxitonin.

"Mbyllja e përkohshme është për të shmangur turmat dhe radhët për porositë. Ne kërkojmë falje për shqetësimin," tha ajo.

Zëvendësguvernatori i Xhakartës, Ahmad Riza Patria tha se pikat e shitjes mund të gjobiten për shkeljen e protokolleve shëndetësore. Gjoba në këtë rast është 50 milionë rupia [4500 dollarë).

Grupi BTS është shumë i njohur në Indonezi, por reagimi i fansave ishte i papritur për të gjithë. Disa fansa, madje, kishin kursyer për të blerë ushqimet.