Ka nisur sot në orën 17.00 në TvKlan, programi i ri “Rudina” që mban emrin e autores së tij, Rudina Magjistari. Pas një shkëputjeje më shumë sesa njëvjeçare, për shkak të lindjes së vajzës, Mias, prezantuesja rikthehet në ekran, në programin e pasdites që ishte lajmëruar prej kohësh.
Dhe surprizat kanë qenë të menjëhershme. Një studio e madhe, e re dhe një prezantuese që rikthehet në formë të shkëlqyer. E bindur që sytë do ishin të gjithë mbi të, në shfaqjen e parë në ekran pas lindjes së vajzës, Rudina ka bërë zgjedhjet e duhura, flokë të gjatë biond, që i japin një pamje vajzërore, një fustan elegant që krijon një silhuetë perfekte, sandale të larta dhe pak aksesorë ku nuk mund të mos vësh re rrethin e artë të martesës.

“Rikthehem si mama në ekran”, ka thënë ajo duke përmendur arsyen e kuptueshme të shkëputjes dhe faktin që tani është mami shumë e lumtur e Mias.
Surpriza tjetër e programit të rikonceptuar të pasdites në TV Klan është studioja, që të krijon përshtypjen e një apartamenti komod, me dy mjedise. Kryesori është ai i të ftuarëve, me një tryezë rreth së cilës, në një divan, do të ulen çdo pasdite të ftuarit, ndërsa tjetri është këndi i komunikimit virtual me teleshikuesit, si një studio e vogël, me tavolinën e shkrimit dhe raftin e bardhë të librave.

Të ftuarit e parë të emisionit që autorja i ka dhënë emrin e saj, janë Leonard Solis, Grida Duma, Rezarta Skifteri, Albert Dumani, Orjola Pampuri dhe Era Rusi, të cilët po flasin për mënyrën si kanë kaluar verën.



Ndërkohë shprehja e zgjedhur për emisionin e parë, është thënia e Nënë Terezës “Çfarë të bësh që të promovosh paqe në botë? Shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde.” Nuk është thjesht emisioni i Rudinës, është emisioni i mamit të Mias…