Kohët e fundit po bëhet një diskutim i nxehtë nëse duhet legalizuar prostitucioni në Shqipëri. Kjo temë u soll edhe dje në studion e emisionit “Opinion”. Mes të ftuarëve, ishte gazetarja e Gazetës Shqiptare dhe “News 24” Klodiana Lala, e cila kishte intervistuar një vajzë të dënuar për prostitucion duke mësuar historinë e saj.
Kjo vajzë që mbahej në burgun 325, i përkiste komunitetit rom dhe e kishte nisur këtë profesion në moshën 13 vjeç. “Më pas e gjendur në kushte të vështira ekonomike e kishte kryer këtë punë se s’kishte asnjë mënyrë tjetër për të siguruar mbijetesën. Pagesat ishin qesharake që fillonin nga 5 mijë lekë të vjetra. Ajo ka thënë që u detyrua pasi familja i tha që nëse nuk sillte para të dilte te shtëpia. Këtë punë ajo e bënte në ambiente të ndryshme edhe në makinë. Dënimi në raste të tilla nëse kapesh është 5 mijë lekë. Këto që kapen janë vulnerabël kurse nuk kapen ato që janë prostituta luksi. Në hotele të rëndësishme në Tiranë kryehet prostitucion. Njëra nga vajzat më ka thënë që një politikan më ka paguar 3 mijë euro për një natë”, ka thënë Lala gjatë programit.
Disa të tjera, sipas saj, paguhen deri 500 euro ose me dhurata, makina apo telefona të shtrenjtë. Mes tyre janë femra shumë të njohura, personazhe publike, apo që kanë një karrierë në profesione të tjera. Personat e përfshirë, biznesmenë, politikanë apo diplomatë, u zbuluan rastësisht gjatë një përgjimi për të kapur disa grabitës banke.