Mbrëmja e 2 janarit ka qenë një fillim i mbarë i Vitit të Ri për 21-vjeçarin Aslaidon Zaimaj, fituesin e edicionit të katërt të “The Voice of Albania”, i cili mori votat më të shumta nga publiku duke u zgjedhur kështu si zëri më i mirë i Shqipërisë. Fitues për këtë edicion ishte edhe trajneri i tij, Genci Salihu, i cili ishte për herë të parë pjesë e jurisë së "The Voice". Në vend të dytë nga votat e publikut është renditur Albina.

Katër finalistët e mbrëmjes: Semi Jaupaj, Albina Kelmendi, Aslaidon Zaimaj dhe Olsa Spata, përkatësisht në skuadrat e Sidrit Bejlerit, Elsa Lilës, Genc Salihut dhe Alma Bektashit, kanë garuar mes tyre me dy këngë, duke shfaqur në skenën e “The Voice”, potencialin e zërit të tyre.

Një mbrëmje show e vërtetë, me tinguj të gjallë muzikorë, ka qenë finalja e së premtes, e cila u hap me performancën e katër trajnerëve të këtij edicioni.

Për të katërtin vit radhazi konkursi për të rinjtë e talentuar në muzikë, “The Voice of Albania”, që zhvillohet në Top Channel, është mbyllur suksesshëm. Një spektakël i gjithi live përçoi tek publiku emocione nga performancat e zërave të rinj më të mirë.

Mbrëmja pati të ftuar special edhe solistin e grupit “Jericho”, Petritin, i cili këndoi në duet me Albinën, konkurrenten e Elsa Lilës, këngën “T’omlin e nanës”.