Janë realizuar vetëm tri javë para vdekjes dhe javën e ardhshme do të jenë në ankand. Fotot e ikonës së bukurisë, Marilyn Monroe, të realizuara nga fotografi Bert Stern, i cili i kishte bërë gati për “Vogue”, në qershor të vitit 1962. Fotot janë ruajtur nga miku i ngushtë i aktores, George Barris, në korrik të vitit 1962. Barris kishte vendosur që pas vdekjes së aktores, t’i mblidhte të gjitha fotot në një libër, të cilin e botoi në vitin 2012. Ai ka përgatitur koleksionin e gjashtë me fotot e Monroe-s, që pritet të dalin në ankandin “Heritage Auctions”, në Teksas, (10-15 mars). Secila prej fotove kushton 6 mijë dollarë.

Stern, i cili vdiq në vitin 2013, kishte bërë një set fotografish, të cilat do të publikoheshin në kopertinën e revistës “Vogue”, vetëm pak javë para se aktorja 36-vjeçare të vdiste në mënyrë tragjike në muajin gusht. Këto foto janë realizuar në plazhin e Kalifornisë, por një pjesë e tyre bardhë e zi, edhe në apartamentin e saj.





