Dhe emri që ishte mbajtur i fshehur deri në ditën e fundit, është zbuluar. Është poetja Mimoza Ahmeti që do të bëhet pjesë e edicionit të 8-të të Big Brother 8. Faqja zyrtare e Top Channel në Facebook e ka bërë publik lajmin, duke shkruar: “Më në fund, u zbulua edhe opinionisti i BB8, që është opinioniste smile emoticon... Mimoza Ahmeti”.

Mimoza Ahmeti është një nga emrat më të mirë të poezisë bashkëkohore shqipe. Librat e saj janë popullarizuar dhe përkthyer edhe në gjuhë të tjera si italisht, frengjisht, spanjisht. Një ndër librat më të pëlqyer dhe të vlerësuar nga kritika është përmbledhja e poezive “Delirium”, botuar në vitin 1994, në Tiranë nga shtëpia botuese “Marin Barleti”. Por krahas të shkruarit, Mimoza Ahmeti është edhe një personazh i njohur i ekranit. Shpeshherë, ajo ka qenë e ftuar në emisione e debate televizive, në të cilat nuk nguron ta shprehë hapur mendimin kritik ndaj kauzave apo çështjeve të ndryshme të shoqërisë sonë. Me siguri, edhe brenda këtij formati, Mimoza do të “ngacmojë” gjithmonë karakteret e banorëve për të zbuluar tiparet dhe “pikat e dobëta” të tyre.