Dje, në mbrëmje, në Vjenë të Austrisë u zhvillua gjysmëfinalja e parë e Eurovizionit dhe Elhaida Dani, arriti të kalonte në finale pas votimit të jurisë profesionale dhe teleshikuesëve nga disa vende të Evropës dhe Australisë. Shqipëria u shpall finalistja e parë e edicionit të 60-të të Eurosong. Kënga “I’m Alive” është një nga më të klikuara e këtij Eurovizioni dhe këngëtarja jonë është pritur shumë mirë nga publiku ndërkombëtar brenda dhe jashtë sallës së konkurrimit. Pas shpalljes së 10 finalistëve nga nata e djeshme, ata dhanë nga një konferencë për shtyp për mediat e vendosura në Vjenë.

Gjatë kësaj konference, ku këngëtarja shqiptare shoqërohej nga përfaqësues të RTSH-së, ajo pozoi edhe për fotografen Orsola Mema të Class Photography e cila na ka dërguar disa foto ekskluzive ku Elhaida dhe delegacioni shqiptar shihen të mbështjellë me flamurin tonë.